Burgu famëkeq i Spaçit. 21 prill 2018. Foto: Loreta Cuka/BIRN

Spaçi, ferri i harruar por jo i falur i të drejtave të njeriut në Shqipëri

Rruga e keqe drejt burgut famëkeq të Spaçit ia trazon më shumë në mendje kujtimet e vuajtjes çnjerëzore Zenel Drangut, një ish të dënuari i cili kaloi aty 16 vite të rinisë.

Ai është rikthyer tashmë me një mision të ri, të rrëfejë historinë dhe të mbajë gjallë sakrificat e mijëra të dënuarve politikë të komunizmit te një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut.

Drangu tregon se si ëndrra e tij e arratisjes nga Shqipëria u kthye shpejt në vite të gjata pune rraskapitëse, keqtrajtimi fizik dhe mendor, si dhe në një luftë të humbur mbijetese.

“Na janë mbush sytë me lot t’u mendu se në këtë vend na ka ik rinia dhe pjesa më e bukur e jetës. Për ç’ka? Se deshëm një jetë më të mirë, pa i ba asnjë të keqe kurrkujt,” tha Drangu për BIRN.

“Asht knaqsi për sensibilizimin e të rinjve për t’u shpjegu me realitet se ça është vujt dhe ça është ba,” shton ai duke theksuar se do të ishte mirë të ruhej burgu i Spaçit si muze.

I pyetur nëse i ka falur vuajtjet e komunizmit, ish i burgosuri 70-vjeçar nga Shkodra thotë se ndjesa publike për mijëra të dënuarit politikë, si dhe ata që u vranë në kushte makabër nuk ka ardhur ende nga shteti shqiptar.

“Që të falësh, duhet me të kërku falje, por këta s’kanë kërkuar falje. Ç’ka me fal?” thotë ai me keqardhje.

Ekzistenca jo vetëm si burg, por edhe si një kamp pune i detyruar për këdo që konsiderohej nga diktatura e kohës si i rrezikshëm për pushtetin, i fitoi Spaçit famën e keqe dhe është sot një damkë e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Vasilika Laçi, nga Civil Rights Defenders thotë për BIRN se përballja me të shkuarën është një nga shtyllat kryesore të edukimit të të rinjve aktivistë.

“Ne e shohim si detyrë të organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile, një aspekt shumë të rëndësishëm të të kujtuarit të shkuarës komuniste,” tha Laçi.

Burgu i ndërtuar në vitin 1968, u përdor në funksion të minierës së Spaçit, të pasur me bakër dhe Pirit. Ai është monument i trashëgimisë kulturore që nga viti 2007, por në tre dekadat e fundit ka shkuar drejt degradimit të shpejtë.

Ish i burgosuri i Spaçit, Zenel Drangu, flet me aktivistët duke u shpjeguar kushtet çnjerëzore gjatë 16 viteve të dënimit të tij atje. 21 prill 2018. Foto: Loreta Cuka BIRN

Arkitekti i fokusuar te restaurimi, Nedi Petri i cili punon me organizatën Trashëgimia Kulturore Pakufij në Shqipëri të përfshirë në konservimin e Spaçit, u shpreh se godinat kanë nevojë për disa ndërhyrje.

“Të ruhet ashtu siç është dhe të ketë rindërtime të pjesshme, por gjithashtu ka nevojë për t’u bërë i vizitueshëm dhe për t’u bërë i sigurt në të njëjtën kohë për vizitorë dhe edukimin e brezave të ardhshëm,” tha Petri, duke shtuar se Spaçi është një vend me vlera historike dhe jo arkitektonike.

Tashmë të njohur me historinë e Spaçit dhe vuajtjet e të dënuarve politikë nën regjimin komunist, aktivistët e rinj japin mendimet e tyre.

“[Pata] emocione shumë të përziera. Jam ndjerë keq kur tregonte zotëria [Drangu] për vuajtjet që kishin kaluar, mungesën e ushqimit. Por gjithashtu të jep dhe një forcë për të vazhduar para,” tha për BIRN një nga studentet vizitore, Doris Pasha.

I të njëjtit mendim është dhe studenti Irsid Gjondedaj që vizitoi ambientet e ish-burgut.

“Në momentin që konfrontohesh përballë me eksperiencën e një personi që ka vuajtur këtë regjim në atë burg, gjithashtu duke pasur përballë ato ambiente, të bën të përfshihesh më shumë emocionalisht,” tha ai.

Të paktën 43.000 shqiptarë qenë viktima të regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri përmes burgosjes, internimit apo ekzekutimit, sipas Institutit Shqiptar për Integrimin e Ish të Burgosurve Politikë. (reporter.al)