Burgu famëkeq i Spaçit. 21 prill 2018. Foto: Loreta Cuka/BIRN

Të burgosurit politikë shqiptarë, të përdorur si minatorë, fitojnë të drejtën për pension

Fadil Daja ishte 21 vjeç kur u dërgua në burgun e Spaçit pasi u dënua për tradhti.

Ushtari i ri u arratis në Jugosllavi në vitin 1975 dhe jetoi në një kamp refugjatësh në kryeqytetin slloven Lubjanë për gjashtë muaj, duke ëndërruar për azil politik në Kanada. Por ëndrrat e tij morën fund kur autoritetet jugosllave e deportuan atë në Shqipëri dhe ai u dënua me vdekje.

Megjithatë, për shkak të moshës së tij të re, dënimi i tij u ndryshua në 25 vjet burg dhe ai u dërgua në burgun e Spaçit.

Daja e dinte se burgu politik, i ndërtuar në vitin 1968 në një zonë të largët të Shqipërisë, ishte famëkeq për punën e vështirë që të burgosurit e tij ishin të detyruar të kryenin në minierat e bakrit dhe pirit.

Por shpejt ai kuptoi gjithashtu se realizimi i objektivit të sasisë së punës të caktuar për minatorët e burgosur ishte pothuajse e pamundur për të.

“Ne duhet të mbushnim çdo ditë nga katër vagonë me minerale, rreth 1.8 ton secili. Unë s’e plotësoja dot normën dhe si rezultat, më rrihnin, më lidhnin te shtyllat në të ftohtë të madh dhe shpesh më linin me javë të tëra të vetëm në izolim të plotë,” tha Daja për BIRN.

Por kur Daja dhe të burgosurit e tjerë u përpoqën të merrnin nga shteti pensione minatori, ata u refuzuan – autoritetet thanë se edhe pse kishte të dhëna për burgosjen e tyre, nuk kishte detaje të punës që kishin bërë gjatë qëndrimit të tyre në burgun e Spaçit.

Të gërmosh për ditëlindjen e diktatorit

Miniera e Spaçit, e ndodhur në një luginë të thellë në Shqipërinë e veriut, është e dyta në vend për nga madhësia për nxjerrjen e bakrit dhe është në gjendje pune edhe sot.

Ajo u ndërtua në vitin 1954 nga komunistët, të cilëve më pas u lindi ideja ta përdornin atë si një kamp pune dhe duke detyruar të burgosurit të nxirrnin minerale.

Kjo pati efekt të keq tek më shumë se 1,000 persona që ishin burgosur atje, përfshirë Agim Hakcanin, i cili tani është 65 vjeç.

“Ne punonim për tetë orë nëntokë në temperatura deri në 40 gradë Celsius. Lageshim nga acidi nga piriti dhe më pas dilnim jashtë për t’u përballur me temperatura deri në minus 15 gradë Celsius. Rrobat e mia ngrinin menjëherë,” tha Hakcani për BIRN.

Hakcani ishte një veteriner i ri në një nga fermat kolektive të Tiranës kur u arrestua me akuza për “sabotim ekonomik” pasi disa lopë në fermë ngordhën.

“Kam parë me sytë e mi të paktën 16 të burgosur të vrarë në galerinë e minierës së Spaçit si rezultat i mungesës së sigurisë, ose që hidheshin në gardhet elektrike që rrethonin burgun se nuk duronin dot më të punonin si skllevër,” kujtoi ai.

Ai i Spaçit nuk ishte i vetmi burg politik në Shqipëri ku të burgosurit u detyruan të punonin në kushte ekstreme.

Situata ishte pothuajse identike për rreth 500 të burgosur që punonin në minierat e bakrit dhe pirit në Qafë Bari, në malet rreth 60 kilometra në veri të Spaçit.

Ali Leka, një ish-oficer ushtrie, i cili u burgos në Qafë Bari në vitin 1977 se u përpoq të largohej nga vendi, kujton se si burgu ishte i njohur për dhunën e përdorur kundër të burgosurve.

“Në Qafë Bari, na kërkohej zakonisht të mbushim katër vagonë mineralesh në ditë, ndërsa në data të veçanta komuniste na kërkonin më shumë. Me rastin e ditëlindjes së liderit komunist shqiptar, Enver Hoxha, më 16 tetor, na u desh të mbushnim tetë vagonë,” tha Leka për BIRN.

Sipas Institutit Shqiptar për ish-Personat e Persekutuar, gjatë sundimit 45-vjeçar të regjimit komunist, rreth 16,000 vetë u burgosën me akuza politike dhe pothuajse 1,000 vetë vdiqën ndërsa ishin në burg.

Detyrimi për të bërë punë të rëndë ishte një praktikë shumë e zakonshme. Përveç punës në miniera, ata detyroheshin të thanin këneta, të punonin tokë bujqësore dhe të ndërtonin infrastrukturë masive dhe projekte industriale për shtetin.

Provat për punën e detyruar janë fshehur

Lideri komunist shqipëtar Enver Xoxha në vitin 1971. Foto: Forrásjelölés Hasonló/Wikipedia/Creative Commons.

Në dhjetor 2014, qeveria shqiptare miratoi një ligj që rriti pensionet për njerëzit që punonin si minatorë, si edhe e uli moshën e daljes në pension në 55 vjeç, nëse ata kishin punuar për të paktën për 12 vjet e gjysmë në miniera.

Fadil Daja, Ali Leka dhe Agim Hakcani i plotësonin këto kërkesa ligjore dhe nxituan të aplikonin për pension. Atyre iu kërkua një konfirmim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për kohën e saktë që ata kishin punuar në miniera.

Për habinë e tyre, Drejtoria e Përgjithshme u përgjigj se nuk kishte të dhëna për punën e bërë gjatë kohës që ata kishin qenë në burg.

“Ata kishin regjistruar vetëm datën kur hymë dhe dolëm nga burgu, as edhe një të dhënë apo dokument në lidhje me kohën kur ishim të detyruar të bënim punë të rëndë. Kjo është se ata nuk donin të linin gjurmë të punës së detyruar të të burgosurve politikë,” tha Leka.

Daja tha se ky zbulim e zemëroi shumë atë.

“U trondita. Edhe pse punova për më shumë se 13 vjet si skllav në minierë, teknikisht nuk isha në gjendje të merrja pension si minator,” shpjegoi ai.

Megjithatë, ata nuk u dorëzuan. Ata formuan një grup me disa miq dhe filluan të trokisnin në dyert e institucioneve shtetërore dhe të ankoheshin në platformat e internetit të qeverisë për atë që ata e shihnin si një padrejtësi të rëndë.

Fadil Daja, Ali Leka dhe Agim Hakcani. Fotot: Fatjona Mejdini/BIRN.

Për të forcuar zërat e tyre, ata e çuan çështjen e tyre edhe në media. Pas tre vitesh e gjysmë luftë, qeveria e ndryshoi ligjin më 28 mars, duke hapur rrugë që ata të kërkonin pensionet.

Sipas ndryshimeve ligjore, koha e punuar nga të burgosurit do të llogaritet si dyfish në krahasim me kohën e punës së minatorëve të zakonshëm. Nëse një i burgosur ka dhjetë vjet punë të detyruar në minierat e Spaçit, kjo do të llogaritet si 20 vjet.

Sipas një raporti qeveritar mbi ligjin e ndryshuar, një total prej 264 ish të burgosurish tani do të kenë dritë jeshile për të përfituar nga pensionet e minatorit. Ndryshimi pritet të miratohet nga parlamenti këtë muaj.

Daja tha se shumë nga miqtë e tyre të burgut i kishin telefonuar atij për të shprehur mirënjohje për lidershipin e tyre për këtë çështje.

“Ne po presim që parlamenti të miratojë ndryshimin dhe nuk mund të tolerojmë vonesa të mëtejshme,” tha ai.

“Ne kemi vuajtur shumë. Tani është koha t’i japim fund betejave dhe të shijojmë pensionin.”