Papa Françesk Lumnon Martirët e Komunizmit në Shqipëri

Kisha Katolike në Shqipëri njoftoi të enjten se 38 martirë të fesë të kohës së komunizmit do të lumnohen në Romë këtë vit.

Martirët u ekzekutuan ose vdiqën në burgje gjatë periudhës mes vitit 1944 dhe 1969, kur regjimi komunist i Hoxhës nisi një fushatë dhune kundër opozitarëve të mundshëm, duke përndjekur në shkallë të gjerë udhëheqësit katolikë, një pjesë e madhe e të cilëve, humbën jetën në burgje ose u ekzekutuan, por nuk e braktisën besimin e vet.

Shumica janë priftërinj katolikë, por mes tyre është edhe Maria Tuzi, një murgeshë e cila humbi jetën në tortura kur qe vetëm 20 vjeç.

Arqipevshkvi i Shkodrës Angelo Massafra, konfirmoi se koha e lumnimit të martirëve po afrohet ndërkohë që qe në Romë, të mërkurën, në takim me peshkopin Marcello Semeraro, sekretar i grupit të kardinalëve të emëruar nga Papa Françesk për këto çështje.

Një ceremoni pritet të zhvillohet në Shqipëri pasi Papa Françesk të miratojë lumnimin e të tridhjetëetetëve. Pas kësaj, Kisha Katolike në Shqipëri do të deklarojë “Ditën e Martirëve”.

Dom Gjergj Meta, prift i Durrësit, i tha BIRN se ky qe një lajm i madh jo vetëm për bashkësinë katolike por për të gjithë shqiptarët.

“Ata e humbën jetën për shkak se regjimi e urrente besimin dhe ata qenë të fortë për të rezistuar. Tashmë rruga drejt shenjtërimit të tyre të merituar është e hapur dhe emrat e tyre kanë kaluar të gjitha procedurat e kërkuara dhe komisionet e Vatikanit,” tha ai.

Kisha shqiptare dorëzoi një listë me emrat e 40 martirëve në vitin 2010, duke kërkuar lumturimin e tyre për shkak se vdekjet e tyre erdhën si pasojë e “odium fidei” që do të thotë “të urryer për besimin e tyre”.

Dy emra në listë vdiqën për besimin e tyre para epokës komuniste dhe rrjedhimisht u hoqën në një proces të veçantë.

Shqiptarët ndërkohë po presin që Nënë Tereza të shpallet shenjtore më 4 shtator.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri në vitin 2011 tregoi se 10 për qind e popullsisë e konsideron veten katolikë.

Gjatë kohës së komunizmit, katolikët qenë ndoshta grupi fetar më i përndjekur për shkak se udhëheqësit katolikë qenë besnikë të shpallur të autoritetit të Vatikanit dhe rrjedhimisht, shiheshin si rrezik për regjimin.

Lumturimi është kur Kisha deklaron dikë të “bekuar” dhe është një hap më poshtë se sa kanonizimi – shpallja shenjtor.

Artikull i marrë nga Reporter.al