U pezullua nga pozita pas sanksionimit nga SHBA, Nexhat Krasniqi emërohet drejtor në Departament tjetër të Ministrisë

Nexhat Krasniqi, pas sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është pezulluar nga detyra e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Por, Krasniqi është emëruar përkohësisht si drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.

Vendimi për këtë ndryshim është marrë më 15 nëntor nga u.d. sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Izedin Bytyqi.

Ndërsa, në vend të Krasniqit, si ushtrues detyre në këtë pozitë është emëruar Shefqet Emërllahu.

Këtë për KALLXO.com, e ka konfirmuar zëdhënësi i MMPHI-së, Gent Zeqiri.

Kallxo.com ka tentuar të kontaktojë edhe u.d. sekretarin e përgjithshëm të kësaj Ministrie, Izedin Bytyqi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Nexhat Krasniqi, tashmë ish-shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, më 3 nëntor ka hyrë në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu ndaluar hyrja atij dhe dy fëmijëve të tij.

DASH në vendim e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”.

“Shtetet e Bashkuara e sanksionojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni” – thuhet në vendimin e DASH-it.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ky veprim nga SHBA dëshmon se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

“Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Kosovë që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë të korruptuar. Ky emërtim ripohon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre” – thuhej në vendimin e SHBA-s.

Shefi i Prokurimit në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, me vendim të Departamentit amerikane të Shtetit është sanksionuar si i “papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”,, ndërlidhur me rastin e Parkut Industrial në Drenas.

Në njoftimin për kontratë që ishte publikuar nga Ministria e Infrastrukturës më 1 nëntor, Nexhat Krasniqi figuronte si pikë kontakti për këtë tender.

Vite më parë, Krasniqi ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës brenda Ministrisë, por më vonë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), ishte kthyer në detyrë.

Ai ishte i përfshirë edhe në një rrahje në MMPHI në vitin 2022.