Marko Perkovic Thompson. Foto: Facebook/Marko Perkoviç Thompson

Sllovenisë i Kërkohet ta Ndalojë Këngëtarin Nacionalist Kroat

Kryebashkiaku i Mariborit, Andrej Fistravec, tha se koncerti i Marko Perkoviç Thompson më 20 maj në qytetin juglindor të Sllovenisë nuk duhet të bëhet, duke pretenduar se këngëtari kroat promovon fashizëm, raportoi media të mërkurën.

“Në Maribor nuk ka vend për ikonografi dhe simbolizëm që shkakton ndasi të mëtejshme pas  Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ka vend për fashizëm,” tha Fistravec për Agjencinë sllovene të lajmeve, STA.

“Lufta e Dytë Botërore shkaktoi shumë shkatërrime të panevojshme, dhimbje dhe tragjedi. Unuk mund të më vijë keq për ndonjë formë nazizmi ose fashizmi,” shtoi ai.

Fistravec përmendi përdorimin e sloganit ustash fashist kroat të kohës së Luftës së Dytë Botërore nga ana e Thompson “Za dom spremni” ( “Gati për atdhe”) në këngën e tij të vitit 1991 “Cavoglave”, si edhe se këngët e tij lidhen qartë me Lëvizjen Ustashe.

Në vitin 2009, performanca e tij e këngës që lëvdonte ustashët “Jasenovaci dhe Gradiska Stara” – emrat e kampeve ustashe të përqendrimit – tronditi Kroacinë dhe rajonin.

Disa kryebashkiakë qytetesh të tjera sllovene thanë të mërkurën se janë dakord me Fistravecin.

Kryetari i bashkisë së Ljubljanës Zoran Jankoviç tha se kryeqyteti, “si një qytet hero që u rebelua kundër fashizmit dhe nazizmit, e ka të vështirë të pranojë dikë që mohon respektimin e diversitetit dhe bashkëjetesën paqësore midis kombeve”.

Përveç politikanëve, edhe një sërë OJQ-sh thanë se ata kundërshtuan zhvillimin e koncertit, ndërkohë që më shumë se 800 sllovenë nënshkruan një peticion në internet, duke pretenduar se koncerti i tij shkel kushtetutën dhe Kodin Penal, duke “lavdëruar fashizmin, nazizmin dhe intolerancën”.

Por Milan Trol, një muzikant slloven që është një nga organizatorët e koncertit, tha se kritikët e eventit ishin të keq informuar dhe se nuk ka bazë ligjore për të ndaluar koncertin.

“Mesa di unë, ai s’e ka të ndaluar të hyjë në Slloveni, pra, nuk ka asgjë që e pengon organizimin e koncertit të tij këtu,” tha Trol për BIRN.

“Nëse më pyesni mua, Marko Perkoviç Thompson është një njeri i shkëlqyer dhe një muzikant i madh, plus një patriot,” shtoi Trol, duke këmbëngulur se këngëtari s’bën thirrje për dhunë dhe urrejtje.

Agjenti i Thompson, Deni Pletikosa, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Koncertet e planifikuara nga Thompson janë ndalur në të kaluarën në Gjermani, Zvicër, Holandë, Sarajevë dhe në qytetin bregdetar kroat të Pulës.

Por salla e koncerteve Lent në Maribor, ku do të zhvillohet koncerti, tha për BIRN se deri më tani nuk ka baza për ta ndaluar koncertin.

Por ajo tha se “e gjithë përgjegjësia për ndonjë shkelje aktuale të ligjit i mbetet organizatorit”.

Informacionet për koncertin në faqen e internetit Eventim.si – ku mund të blihen biletat – paralajmëron se “nëse ka ndonjë dyshim sa më të vogël për njerëz që mund të shkaktojnë dhe përhapin intolerancë, gjuhë urrejtjeje dhe provokime, hyrja në koncert do të ndalohet pavarësisht faktit se ata kanë një biletë të vlefshme”.

Nuk ka asnjë paralajmërim të ngjashëm në lajmërimet për ndonjë koncert tjetër, biletat e të cilit shiten në të njëjtën faqe interneti.

Thompson është i njohur për këngët e tij polemike si “Anica Kninska Kraljica” (Anika mbretëresha e Kninit) që përfshin vargun “Do t’i vë zjarrin Krajinës gjatë rrugës për në Knin”, duke iu referuar shtetit të vogël të vetëshpallur serb të kohës së luftës, Republika e Krajinës Serbe, që u shtyp nga Ushtria Kroate gjatë Operacionit Stuhia në vitin 1995.

Rreth 80,000 persona panë Thompsonin të festonte 20 vjetorin e Operacionit Stuhia në vitin 2015, shumë prej tyre duke brohoritur “Vrit një serb” dhe “Za dom spremni”.