BURIM PIRAJ - Meka Hallall Food

Skandali i AQP-së me tenderin për të blerë produkte serbe, reagon 'MEKA'

Drejtori i fabrikës për përpunimin e mishit “MEKA”, Burim Piraj, ka thënë se blerja e produkteve serbe duke anashkaluar ato vendore është praktikë e keqe.

Piraj për KALLXO.com, blerjen e këtyre produkteve nga institucionet e ka quajtur më shumë se diskriminim.

“Mendoj se është një praktikë e keqe e cila që nga e kaluara u kanë dhënë përparësi prodhimeve të huaja karshi atyre vendore, këtë nuk mund ta quajmë diskriminim sepse kjo është më tepër se aq”, ka thënë Piraj.

Ai ka shtuar se këto veprime dëmtojnë prodhuesit vendor dhe ndaj veprimeve të tilla të merren masa ligjore sepse produkteve të huaja po u bëhet marketing i fuqishëm kundrejt atyre vendore.

“Kur institucionet të cilat duhet të japin kontribut sa më të madh për të mundësuar hapjen e vendeve të reja të punës, mu ato janë të pa përgjegjshme dhe u japin përparësi dhe ju bëjnë edhe marketing të fuqishëm prodhimeve të huaja”, ka thënë Piraj për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi se Agjencia Qendrore e Prokurimit po kërkon të blejë prodhime të Serbisë për t’i furnizuar disa institucione, përkundër që Qeveria e Kosovës i ka vendosur taksën doganore prej 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Kjo Agjenci, që bën prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Kjo Agjenci duke u thirrur në kushte të jashtëzakonshme për t’i përshkruar produktet që synon t’i blejë i ka referuar me artikull specifik të prodhuesve serb.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta”.

 

https://kallxo.com/gjnk/shteti-kerkon-te-bleje-prodhimet-e-serbise-plazma-eurokrem-e-argete/

.