Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Ekrem Bajroviqit për krime lufte, dëshmitari: I akuzuari ishte i veshur me uniformë të Policisë serbe dhe i armatosur

Dëshmitari Shefqet Berisha ka dëshmuar për tmerret e përjetuara më 07.05.1999 në Staradran të Istogut kur kishin rënë në duart e forcave serbe.

Sipas dëshmitarit, në mesin e forcave serbe ishte edhe Ekrem Bajroviqi, i cili po gjykohet për krime lufte kundër popullatës civile në bashkëkryerje.

“Në Staradran ka ndodhë, nuk muj as me përshkru çfarë tmerri ka ndodhë. Edhe muj me thanë se mbi 50 mijë refugjatë kanë qenë atë ditë, asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka qenë. Këta e kanë nda kolonën. Ekremi ka qenë prezent me policët e Gurakovcit, dhe me paramilitarë që kanë qenë me maska”- tha dëshmitari Berisha në seancën e datës 04.06.2014 të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës.

I pyetur nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, se nga e njihte të akuzuarin, Shefqet Berisha tha se atë e njeh që nga vitet 1990.

“Këtë e kam njoftë në vitet ‘90-ta, kur ka ardhë ftesa për me shku në shërbim ushtarak të ish-Jugosllavisë. Unë e kam refuzu, 3-4 herë më ka kërku në shtëpi, e ka bastisë disa herë shtëpinë time. Unë jam mëshefë te dajtë, kam nejtë te disa nipa, 4 vite nuk kam guxu me nejtë në shtëpinë time” – tha dëshmitari.

Më tej dëshmitari Berisha për të akuzuarin Ekrem Bajroviq tha se e ka parë të veshur me uniformë të policisë serbe, me automatik dhe jelek anti-plumb, dhe se nuk ka qenë i maskuar.

Berisha para trupit gjykues rrëfeu për tmerret dhe maltretimet qe iu kanë bërë gjatë asaj kohe.

“Pasi që Stojkoviqi ka dhënë urdhër që me u nda kolona na kanë çu në burg te Gurakovcit. Aty kanë filluar rrahjet, na kanë futë në një bodrum të burgut. Në ora 10:00 kanë ardhë prej Peje na kanë marrë të dhënat, nuk e di çka kanë qenë, policë a prokurorë. Kanë filluar prej orës 10:00 deri në mëngjes tuj na marrë në pyetje. Na kanë rrehë dhe na kanë thënë: Pranoni çka të ju themi!”” – shtoi dëshmitari.

Berisha shtoi se deri më 11.06.1999 kanë qëndruar në burgun e Pejës, më pas i kanë larguar nga aty për në Leskovc (Serbi).

Prokurori i çështjes, Ilir Morina, i kundërshtoi pyetjet e mbrojtjes të të akuzuarit.

“E kundërshtoj pyetjen sepse mbrojtja po e provokon dëshmitarin”- ka thënë ai.

Ndryshe dëshmitari Shefqet Berisha në vitin 2000 kishte dhënë  një deklaratë në Policinë e UNMIK-ut lidhur me këto ngjarje.

Ndërsa, në shkurt të vitit 2023 ishte thirrur nga Policia në Istog për të dhënë dëshminë e tij.

Shefqet Berisha në cilësinë e të dëmtuarit ka ushtruar edhe kërkesë pasurore-juridike.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari Daut Elshani, por për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ai nuk ka mundur të jetë prezent në seancë.

Prokurori Ilir Morina propozoi  që deklarata e dëshmitarit Daut Elshanit të lexohet për shkak të moszvarritjes së procesit.

Mirëpo nga mbrojtja pati kundërshtime për këtë propozim.

Trupi gjykues lidhur me propozimin e prokurorit do të vendosë në seancën e radhës.

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradran më 8 maj të vitit 1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.