Foto: KALLXO.com

Japin mbrojtjen ish-zyrtarët e Ministrisë, të akuzuar për aferën me patentë shoferë

Ish-ushtruesi i detyrës i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të automjeteve, Kadri Krasniqi, dhe ish-këshilltari politik i Ministrisë, Pjetër Ndou, dolën edhe një herë tjetër para Gjykatës, kësaj radhe për të dhënë mbrojtjen lidhur me akuzat e Prokurorisë.

Shatri e Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Ndou për ushtrim ndikimi.

Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin për ekzaminues, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.

Kadri Krasniqi gjatë dhënies së mbrojtjes konfirmoi se në postin e ushtruesit të detyrës kishte ardhur më 03.10.2017 dhe deklaroi se kishte gëzuar kompetencat e njëjta sikurse të drejtorit.

Sipas të akuzuarit Krasniqi, licencimi për ekzaminuesit është bërë nga Ministria e Infrastrukturës. Gjithashtu, ai tha se e tërë pjesa e tij në këtë proces të licencimit ka qenë të përgatitet lista e konkurrentëve.

“Jo, planifikim nuk ka pasë asnjëherë”- tha i akuzuari kur u pyet nga  prokurori Kujtim Munishi se a është dashur të ketë kërkesë paraprake me shkrim.

I njëjti deklaroi se nga veprimet e tij nuk i ka shkaktuar kurrfarë dëmi Ministrisë së Infrastrukturës kur është bërë licencimi i ekzaminuesve.

“Unë kurrfarë dëmi nuk i kemi bërë Ministrisë së Infrastrukturës”- tha i akuzuari.

Me dhënien e mbrojtjes vazhdoi edhe i akuzuari Nebih Shatri, i cili nga Prokuroria akuzohet se nuk kishte lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues për patentë shoferë, të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta.

Sipas Shatrit, angazhimi i ekzaminuesve është bërë me vendim të ministrit të Infrastrukturës.

“Vetëm Ligji për shërbyes civil i njeh marrëveshjet e veçanta, në këtë rast ata kanë pasur vendim prej një ministri”- tha Shatri.

Shatri tutje tha se ekzaminuesit ndonëse të punësuar në bazë të vendimit të ministrit ishin paguar por me vonesë.

Sipas Shatrit, ligjërisht nuk ka qenë e specifikuar askund nëse është dashur të lidhet kontratë pune me ekzaminuesit.

Sipas të akuzuarit, me veprimet e tij nuk është dëmtuar buxheti i shtetit.

Kujtojmë që Nebih Shatri është njëri nga katër të akuzuarit e rastit të 53-milionëshit. Shatri akuzohet për keqpërdorim të detyrë zyrtare në bashkëkryerje dhe është shpallur fajtor.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës më 31.01.2024 ishte dënuar me një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

I akuzuari i tretë, Pjetër Ndou, do të japë mbrojtjen e tij më 13.07.2024 dhe më pas do të vazhdohet me dhënien e fjalëve përfundimtare nga palët.

Lidhur me këtë rast, para dhënies së mbrojtjes nga të akuzuarit, kanë dhënë dëshminë e tyre tre Habib Hasani, i cili ishte i ftuar në cilësinë e udhëheqësit të njësisë për patentë shoferë në Mitrovicë, Adile Ramadani, zyrtare e Administratës në MI dhe Filiz Krasniqi si koordinatore rajonale për pyetësit teorikë për ekzaminues për patentë shofer.

Gjykimi ndaj tyre kishte filluar rishtazi më 06.02.2024 meqë anëtari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, ishte avancuar në Departamentin special dhe në vend të tij si anëtar i trupit gjykues tashmë është caktuar Ertan Sejfulla. Gjykimi udhëhiqet nga gjyqtarja Fatime Dermaku. Aktakuza është duke u përfaqësuar nga prokurorja Arbresha Shala.

Nebih Shatri akuzohet se duke qenë u.d. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, nuk ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminues për patentë shoferë, të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për ta.

Dosja e Prokurorisë thotë se veç kësaj ai kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminuesve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për patentë shoferë.

Ndërsa, Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për licencimin për ekzaminues, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.

Për ushtrim ndikimi në këtë rast akuzohet Pjetër Ndou, i cili ka qenë këshilltar politik në këtë Ministri.

Dosja e Prokurorisë thotë se ai ka ndikuar te ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.

Tutje ai akuzohet se ka ndikuar edhe në një tender që një operator ekonomik të fitojë linjën e transportit, dhe një ndikim tjetër në përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminues.

Periudha kohore e kryerjes së këtyre veprave penale, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë periudha 2016-2018.