Situata të Tensionuara në Gjykimin e ish-Policit

Në gjykimin kundër Menderes Sinanit sot dëshmoi Beqir Dedaj i propozuar nga Prokuroria.

Prokurori në një moment e pyeti dëshmitarin se pse po i dridheshin duart, mos po ndodhte kjo nga personat e pranishëm në seancë?

Dëshmitari mohoi presionet, por tha se dridhja e duarve po i ndodh sepse se ai dhe familja e tij kurrë nuk janë përballur me ligjin dhe kanë pasur qellim vetëm punën.

Seanca e sotme u përcoll me shumë ndërhyrje të kryetarit të trupit gjykues, sepse i dëmtuari dhe avokati i Menderes Sinanit akuzonin njëri-tjetrin për kërcënime dhe provokime brenda sallës së gjykimit.

Bidajet Sylejmani që në këtë rast paraqitet si i dëmtuar kërkoi nga trupi gjykues që t’ia tërheqë vërejtjen të akuzuarit Menderes Sinani, sepse sipas tij Sinani gjatë tërë kohës është duke e kërcënuar.

“Ai vazhdimisht është duke më kërcënuar dhe më herët më ka shajtur dhe është duke më provokuar me sy gjatë kësaj seance,” tha Sylejmani.

Edhe avokati i Menderes Sinanit Aziz Rexhaj kërkoi nga trupi gjykues që t’i tërhiqet vërejtja Bidajet Sylejmanit, sepse sipas tij “gjatë fjalës sime është duke qeshur”.

Dëshmitari Beqir Dedaj tha se është pronar i kompanisë “Burimi” që merret me prodhimin e asfaltit.

Ai tha se është njohur me të dëmtuarin Bidajet Sylejmani sepse Sylejmani në Shterpcë është pronar i kompanisë “Luboteni” e cila merret me shtrimin e rrugëve.

“Sa i përket kontakteve tona me Bidajetin në aspektin kontraktues kanë qenë shumë të mira, por kur ai ishte arrestuar në 2012-ën më ne nuk kemi pasur bashkëpunim në biznes,” tha Dedaj.

Dëshmitari u pyet nga prokurori nëse e di se kush ka qenë përfshirë në arrestimin e Bidajet Sylejmanit.

“Sipas asaj që kam dëgjuar ka qenë Menderes Sinani dhe Besim Shabani,” tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se e njeh edhe të akuzuarin Menderes Sinani sepse kanë pasur një shkëmbim të veturave me të.

“Unë e kam pasur një veturë ‘Mercedes’ e cila në atë kohë ka qenë diku 20 mijë euro dhe Menderesi ka pasur një ‘Audi A4’. Ai ka kërkuar që t’i shkëmbejmë veturën duke ma llogaritur veturën time 17 mijë euro dhe veturën e tij 12 mijë euro, 5 mijë euro më ka thënë që do të mi japë kesh, por kurrë më nuk i kam parë ato para. Edhe pse nuk kam pasur dëshirë të bëhet ky ndërrim unë kam pranuar,” tha Dedaj.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se pse ka bërë një shkëmbim veturash pa vullnet, a ka qenë i kërcënuar apo ka pasur ndonjë presion. Dëshmitari tha se nuk kam pasur presion direkt, por nga ana e brendshme u detyrova ta bëj këtë punë.

Dëshmitari tha se e ka furnizuar me beton Menderes Sinanin dhe ai i ka mbetur borxh 6 mijë euro për këtë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

http://kallxo.com/vazhdon-deshmia-e-policit-ndaj-kolegut-te-tij/

http://kallxo.com/policet-deshmojne-ne-seance-per-kolegun-e-tyre/

http://kallxo.com/ne-gjykimin-e-ish-policit-perseri-deshmi-nga-familja-e-te-demtuarit/

http://kallxo.com/babai-i-te-demtuarit-deshmon-ne-gjykimin-e-policit/