Simiq: Ligji për Investime e Bën të Pakuptimtë Asociacionin

Pas dërgimit të Ligjit për Investime Strategjike për vlerësim kushtetutshmërie në Gjykatën Kushtetuese nga Lista Serbe, kreu i këtij subjekti politik Sllavko Simiq, tha se ligji që u krijon lehtësime investitorëve synon ta bëjë të pakuptimtë Asociacionin e Komunave Serbe.

“Me këtë ligj ekzistojnë tendenca serioze të cilat mëtojnë t’ia humbin kuptimin dhe ta qesin jashtë kontekstit ligjor formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe pikërisht për këtë ne dëshirojmë që Gjykata Kushtetuese të sjellë një vendim që ligji të shpallet kundërkushtetues dhe të shfuqizohet,” tha Simiq për gazetarë.

Ai kundërshtoi që toka investitorëve strategjikë t’u jepet apo t’u shitet nga Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike.

“Është e papranueshme që nëpërmjet Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike investitorëve strategjikë t’u jepet tokë shtetërore dhe shoqërore për shfrytëzim 40 vjeçar,” tha Simiq.

Për Simiqin me Ligjin për Investime Strategjike nuk janë mbrojtur interesat vitalë të popullit serb në Kosovë, të pronës së Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj të ndërmarrjeve shoqërore.

Simiq e konsideroi të papranueshme që Qeveria e Kosovës të jetë pronare e tokës të cilën sipas tij nuk dihet se si e ka bërë shoqërore.

“Pra është e papranueshme që me miratimin e një ligji të tillë Qeverisë së Kosovës t’i mundësohet që lirisht të disponojë pronën të cilën më herët nuk e dimë ende nën çfarë rrethanash dhe kriteresh e kishte shpallur shtetërore dhe shoqërore dhe në bazë të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike investitorëve strategjikë u jep dhe u shet tokën e cila nuk ka kaluar nëpër kurrfarë procedurash,” tha Simiq.

Dërgimi i Ligjit për Investime Strategjike në Kushtetuese u bë me votat e 11 deputetëve të Listës Serbe.

Ky subjekt politik edhe Ligjin për “Trepçën” e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese më 7 tetor.

http://kallxo.com/simiq-ceshtja-e-trepces-te-zgjidhet-dialog/