Sihana rrëfen për gazetën britanike historinë e përdhunimit nga forcat serbe

Edhe një grua nga Kosova ka vendosur të ndajë për mediat ndërkombëtare historinë e përdhunimit të saj nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Sihana (emër i rremë) ishte 28-vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve në kohën kur u dhunua seksualisht.

Ajo ka treguar për gazetën prestigjioze britanike online The independent rastin e përdhunimit të saj dhe të disa grave të tjera.

Sihana ka rrëfyer ditën kur erdhën forcat serbe dhe hynë në fshat dhe i zunë civilët, pak javë pas fillimit të bombardimeve nga NATO kundër forcave serbe, më 24 mars 1999.

Pasi kishte rënë terri, forcat serbe ishin tërhequr dhe këtë e kishin shfrytëzuar burrat e fshatit që të iknin në mal.

Kur ishin kthyer ushtarët serbë kishin mbetur katër gra të martuara, një vajzë e pamartuar, dy gra të moshuara dhe tetë fëmijë.

“E moshuara u përpoq ta mbronte të renë e saj, por u godit nga një ushtar. Ata e larguan gruan e moshuar dhe na morën secilën prej neve grave të reja dhe na dërguan në dhoma të ndryshme dhe na përdhunuan deri kur atyre iu duk mjaft”, tregon Sihana.

Burrat ishin kthyer të nesërmen nga mali dhe vendosën që të gjithë të largoheshin për të parandaluar përdhunimin e sërishëm. “Ata na thanë më mirë serbët të na kishin vrarë sesa që na kanë bërë atë që na kanë bërë“.

Sihana ka treguar se udhëtimi ishte i vështirë për grupin. “Njëra prej grave kishte lindur pak ditë më parë. Gratë ishin të gjakosura dhe kishin dhimbje të mëdha. Nuk kishim ushqim për t’i ushqyer fëmijët. Mendoja: më mirë të isha e vdekur”, shton ajo.

Sihana dhe të afërmit e saj ishin vendosur në një qytet të afërt dhe aty qëndruan deri kur përfundoi lufta, raporton KALLXO.com.

“Ishte një gëzim shumë i madh kur hyri NATO, sepse deri në atë ditë nuk e dinim nëse do të na ndodhte sërish ajo që na ndodhi apo do të vinin e të na vrisnin me thika”, rrëfen ajo për “The Independent”.

Në këtë moment ndërhyn gruaja që përkthen historinë e Sihanës, Iliriana Jaka Gashi, drejtoreshë e organizatës Women for Women International në Kosovë, e cila tregon përvojën e saj nga lufta. “Unë mund të shtoj këtu sepsa isha refugjate. Ne thoshim në atë kohë se plumbi është punë e paçme. Nëse do t’ua shkrepnin një plumb, ju do të vdisnit e lumtur. Ishte e vështirë sepse ata mund të vinin te familja e juaj dhe para jush ndonjë anëtari t’ia nxirrnin sytë, t’ua këpusnin gishtërinjt ose krahun”.

“Kanë kaluar 20 vjet, por është një plagë që nuk shërohet kurrë“, thotë Sihana.

Tani 49-vjeçe, Sihana jeton me burrin dhe 5 fëmijët e saj. Ajo thekson se jeta e saj nuk do të jetë kurrë ajo që e kishte para se të përdhunohej, sidomos jeta bashkëshortore.

Rreth 20 mijë gra e vajza shqiptare të Kosovës besohet se janë përdhunuar gjatë luftës së viteve 1998-1999 nga forcat serbe.

Njëra prej tyre, Vasfije Krasniqi Goodman, ka folur publikisht për herë të parë vitin e kaluar, kur tregoi rastin e përdhunimit nga forcat serbe, teksa ishte rrëmbyer në shtëpinë e saj dhe ishte përdhunuar në fshatin Babimoc.

Ditë më parë, ajo ka rrëfyer historinë e saj para Kongresit amerikan.

E pranishme në këtë seancë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bëri thirrje për formimin e një gjykate ndërkombëtare për të gjykuar krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Jahjaga kërkon në Kongresin amerikan një gjykatë për ata që dhunuan gjatë luftës në Kosovë

www.kallxo.com