Lufta Izrael - Hamas, ekspertët e OKB-së raportojnë për "akuza të besueshme" për sulme seksuale, dhe dhunime ndaj grave dhe vajzave palestineze në paraburgjet izraelite

Ekspertët e OKB-së kanë raportuar “akuza të besueshme” për sulme seksuale, përfshirë përdhunimin, ndaj grave dhe vajzave palestineze në paraburgimin izraelit. Të paktën dy raste përdhunimi u dokumentuan, së bashku me raste të poshtërimit seksual dhe kërcënimeve. Ekspertët theksojnë normalizimin e dhunës kundër civilëve palestinezë gjatë konfliktit Izrael-Hamas. Anasjelltas, pati raportime për dhunë seksuale të përhapur nga Hamasi ndaj grave dhe vajzave izraelite. OKB-ja po bën thirrje për hetime të plota mbi këto akuza. Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gaza duket se kanë marrë një vrull të ri pas deklaratave që vijnë nga Shtëpia e Bardhë se bisedimet “po shkonin mirë”.

Të enjten, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme Brett McGurk zhvilloi bisedime me krerët izraelitë.

“Indikacionet fillestare që po marrim nga Brett janë se këto diskutime po shkojnë mirë”- ka deklaruar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë kanë thënë se duan t’i përdorin administratorët lokalë pa lidhje as me Hamasin, as me Autoritetin Palestinez për ta udhëhequr Gazën.

Në një thirrje kolektive, udhëheqësit e entiteteve humanitare të OKB-së dhe OJQ-ve globale u janë lutur liderëve botërorë të ndihmojnë në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të krizës në Gaza. Drejtuesit e Komitetit të Përhershëm Ndër-Agjencior (IASC), organi koordinues i organizatave globale humanitare, lëshuan një deklaratë të mërkurën në të cilën thanë se “civilët në Gaza janë në rrezik ekstrem, ndërsa bota i shikon”. Ky organ renditi dhjetë kërkesa “për të shmangur një katastrofë edhe më të keqe”.

Një përpjekje e OKB-së për të dërguar 10 autokolona me ndihma ushqimore në Gazën veriore për shtatë ditë u pezullua në fillim të kësaj jave pasi kamionët u plaçkitën nga turmat, një shofer u rrah dhe u raportuan të shtëna me armë mes skenave kaotike. “Në shumicën e rasteve, kur ushqimi merret direkt nga autokolonat, është për shkak të dëshpërimit të plotë, me njerëzit që e hanë atë ushqim aty për aty”- ka thënë Jonathan Fowler, zëdhënës i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët në Palestinë (UNRWA).

Një izraelit rreth të 20-tave u vra në të shtënat e së enjtes 22.02.2024 në një pikë kontrolli në një autostradë të Bregut Perëndimor, ku persona të armatosur hapën zjarr ndaj automjeteve në bllokimin e trafikut në orën e pikut të mëngjesit.  

Ministrat e jashtëm të 26 vendeve evropiane kërkuan të enjten për një pauzë në luftimet që çojnë në një armëpushim më të gjatë. Ata i kërkuan Izraelit të mos ndërmarrë veprime ushtarake në Rafah “që do të përkeqësonin një situatë humanitare tashmë katastrofike”./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala