Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kearns: Dhunimet seksuale ndaj grave në luftëra duhet të dënohen

Deputetja britanike, Alicia Kearns e cila po qëndron në Kosovë, ka folur për dhunën seksuale ndaj grave gjatë luftrave në Ukrainë, Bosnje e Kosovë.

Ajo në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se ata që e kryejnë këtë krim po mendojnë që do të shpëtojnë pa u dënuar.

“Ata mendojnë se mund të shpëtojnë edhe pse e bëjnë këtë. Sepse aftësia për të provuar krimet seksuale të luftës dhe besoj se ka pasur një ndjekje penale në Kosovë edhe për këtë, mirëpo është kaq e vështirë sepse provat humbasin kaq shpejt, por edhe për shkak të turpit dhe fajit që u vihet grave. Kjo është dhunë seksuale nga meshkujt. Nuk është dhunë ndaj grave dhe vajzave, është dhunë seksuale nga meshkujt”- tha ajo.

Kearns thotë se ka nevojë që të ketë një bisedë kombëtare në mbarë botën “që në baza ditore, gratë po dhunohen, po shfrytëzohen seksualisht dhe po sulmohen seksualisht.”

Jam shumë krenare që e mbaj këtë karficë sot. Nuk e dija se do të më pyesnit për këtë, por këtë ma dha një grup i grave këtu në Kosovë. Aty kishte serbë të Kosovës në dhomë dhe kishte shqiptarë të Kosovës. Dhe kjo u krijua nga një grua që i mbijetoi përdhunimit dhe dhunës seksuale”.

“Por mbi të gjitha, ne duhet të heqim fajin dhe turpin. Asnjë grua apo burrë nuk është përgjegjës për përdhunimin. Është vetëm autori i krimit dhe ne duhet të çojmë më shumë ndjekje penale”, tha më tej Kearns.

Ajo foli edhe për situatën në Gaza ku tha se javës tjetër do të udhëtojë për në Lindjen e Mesme.

“Ne duhet të sigurohemi që t’i shikojmë këto imazhe dhe t’i shikojmë videot, sado e vështirë që të jetë kjo. Unë do të jem në Lindjen e Mesme javën e ardhshme. Unë do të shkoj të shoh se çfarë mund të bëjë më shumë Mbretëria e Bashkuar. Prioriteti im ka qenë që të sigurohemi që ndihmat humanitare të mund të hyjnë atje. Sigurisht, duke u siguruar që shtetasit britanikë të dalin jashtë. Ne duam që pengjet të lirohen plotësisht. Por unë që nga fillimi, që nga e diela pas krimit të tmerrshëm kundër njerëzimit që ishte sulmi ndaj popullit izraelit, kam bërë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar. Ky duhet të jetë një operacion kundër terrorizmit, nuk duhet të jetë një luftë”- thotë ajo.