Vendi ku kryhen ekzaminimet e rasteve të dhunës seksuale në Kosovë, flet ekzaminierja në Institutin e Mjekësisë Ligjore

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) nga nëntori  i vitit 2002 deri në dhjetor të vitit 2021, janë kryer mbi 2,000 raste të ekzaminimit mjeko-ligjor për fëmijë dhe të rritur në rastet e dhunimit, lëndimeve trupore, marrje e mostrave dhe ekzaminime të tjera.

Kështu bëri të ditur në një intervistë për Telegrafin, udhëheqëse e autorizuar në njësinë për ekzaminime klinike, Venera Mehmeti.

“Në Institutin e Mjekësisë Ligjore, divizioni i Mjekësisë Ligjore përgjatë periudhës nga nëntori  i vitit  2002, deri në dhjetor të vitit 2021 janë kryer mbi 2,000 raste të ekzaminimit mjeko-ligjor, fëmijë dhe të rritur, ku përfshihen rastet e dhunimit, lëndime trupore, marrje e mostrave etj. Ndërsa për vitin aktual, të dhënat publikohen zyrtarisht pas përfundimit të vitit kalendarik”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse para ekzaminimit duhet të trajtohen viktimat tek psikologu apo edhe tek ndonjë specialistë tjetër, Mehmeti tha se në kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore/forenzike nuk lejohen të ketë persona të tjerë, por nëse është e nevojshme atëherë ata trajtohen tek personat kompetentë.

“Në Institutin e Mjekësisë Ligjore kryhen ekzaminime mjeko-ligjore/forenzike dhe nuk lejohet të ketë persona të tjerë gjatë procedurës së ekzaminimit mjeko-ligjor, përveç specialistit të Mjekësisë Ligjore dhe infermierit/ekzaminerit mjeko ligjor, përveç në raste të veçanta. Në raste, kur diçka e tillë është e nevojshme, ato referohen tek specialistët e fushave të ndryshme si: gjinekologu, psikiatri, psikologu… Ndërsa në rast janë të përfshirë polici, punëtori social, mbrojtësit të viktimave…, secili prej nesh e kryen punën bazuar në mandatin e institucionit përkatës”, sqaroi ekzaminierja Mehmeti.

Mehmeti tha se në njësinë për Ekzaminime Klinike kryhen të gjitha ekzaminimet e viktimave të dhunës seksuale, te fëmijët dhe të rriturit.

Ajo theksoi se ekzaminimi nuk mund të kryhet pa pasur urdhëresën nga Prokurori i Shtetit.

“Divizioni i Mjekësisë Ligjore si njëri nga tri divizionet e Institutit, ofron shërbime mjeko ligjore të autopsisë mjeko ligjore, hetimit mjekësor të vdekjes, ekzaminimit klinik mjeko ligjor, si dhe ekzaminimit laboratorik (histopatologjik dhe toksikologjik) të mostrave indore biologjike”, tha ajo.

Sipas saj, me kërkesë nga Policia e Kosovës, e cila urdhërohet nga Prokurori i Shtetit, në rastet e dhunës fizike dhe/apo seksuale, nga IML kërkohet të bëjnë ekzaminimin klinik mjeko-ligjor.

“Infermierët/ekzaminerët mjeko ligjorë, të cilët janë në gatishmëri tërë kohën në IML (me orar të rregullt dhe kujdestari), pranojnë thirrjen telefonike në numrin kujdestar marrin informatat e nevojshme nga Policia e Kosovës për rastin që kërkohet të ekzaminohet, njoftojnë ekspertin mjeko – ligjor, i cili është kujdestar, dhe koordinojnë kohën, ekzaminimin në mes Policisë së Kosovës (të cilët e sjellin palën për ekzaminim), punëtorit social, mbrojtësit të viktimave dhe ekspertin mjeko ligjor”.

“Ekzaminimi nuk mund të kryhet pa pasur urdhëresën e shkruar nga Prokurori i Shtetit, i cili ka vendosur të bëhet ky ekzaminim, dhe ku shkruan arsyeja e ekzaminimit, lloji i ekzaminimit dhe pyetje të tjera, bazuar në legjislacionin aktual për rastin e caktuar. Në rastet kur kërkohet ndërhyrja trupore për marrjen e mostrave indore tek pala që do të ekzaminohet dhe pala nuk jep pëlqimin për këtë, sipas legjislacionit kërkohet urdhërese nga gjykata”, tha Mehmeti për Telegrafin.

Vendi i pranimit të rasteve para ekzaminimit klinik në IML. Nëse pala (viktima) nuk pranon të ekzaminohet nga persona të gjinisë së kundërt, çfarë ndodh?

Mehmeti tha se ka pasur raste kur pacienti ka refuzuar të ekzaminohet nga persona të gjinisë së kundërt.

“Në rastet kur pala që do të ekzaminohet nuk pranon që ekzaminimi të kryhet nga persona të gjinisë së kundërt, sipas legjislacionit në fuqi ne e kemi obligim të ofrojmë persona të gjinisë së njëjtë me palën (ekspert mjeko ligjorë dhe infermier/ekzaminerë mjeko ligjorë). Gjatë ekzaminimit nuk marrin pjesë palët tjera, me përjashtim të ndonjë rasti p.sh kur bëhet fjalë për fëmijë”, u shpreh Mehmeti.

Ajo ka treguar edhe si kryhen procedurat për marrjen e mostrave të të burgosurve.

“Në raste të caktuara, me kërkesë të Gjykatës apo Prokurorit të Shtetit kërkohet vetëm të merren mostra indore në Institut, apo jashtë Institutit në raste të caktuara kur palët p.sh janë të burgosur. Këtyre rasteve u vendoset një numër”, tregoi Mehmeti./Telegrafi