Gratë e përdhunuara në luftë - përballë stigmës dhe diskriminimit

Një grua nuk u pranua në punë si mirëmbajtëse në një çerdhe në Kosovë nën arsyetimin se trauma si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës ndikon në performancën e saj.

“Më ka ardhë marre me iu tregu familjarëve përse nuk më kanë pranu” – thotë 52-vjeçarja duke rrëfyer se sa e vështirë është për të, që përveç asaj që ka përjetuar, të jetojë në një ambient paragjykues. “I du shumë fëmijët, edhe e kam pa si një mundësi shumë të mirë, se për atë punë nuk nevojitet me kry shkollë, e mu ka përshtatë” – vazhdo ajo, duke shpresuar se do të gjejë një vendpune për të mbajtur financiarisht familjen e saj pesë anëtarëshe.

Por, ky nuk është një rast i izoluar, sepse sipas organizatave që merren me këto viktima, ato përballen çdo ditë me stigmatizim dhe diskriminim.  Janë mbi 1 mijë e 400 gra të cilave përmes një komisioni qeveritar iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Përballë kësaj shifre, shteti kosovar nuk ka qendra trajtimi dhe programe rehabilitimi. Janë vetëm katër organizata joqeveritar të cilat merren me gratë duke iu ndihmuar në trajtimin e traumave. Organizatat thonë se ndjehen të diskriminuara, pa përkrahje dhe se nuk ka beneficione të mjaftueshme për këto viktima.

Vasfije Krasniqi-Goodman, në vitin 2018, ka rrëfyer publikisht historinë e saj në Kosovë, që i kishte ndodhur 23 vjet më parë, duke u bërë kështu gruaja e parë në Kosovë që flet për përjetimet e dhunës seksuale në luftë.

Ajo në zgjedhjet e fundit parlamentare fitoi ulësen e deputetes në Kuvendin e Kosovës.

Tashmë si e dorëhequr nga kjo pozitë për shkak të “trajtimit mjekësor”, Vasfije Krasniqi – Goodman thotë se Ligji diskriminon viktimat e dhunës seksuale pasi nuk ka, sipas saj, benefite të njëjta me kategoritë tjerë të luftës.

Sipas saj, fusha që më së shumti ndjehet diskriminimi është në shëndetësi dhe në punësim.

“Në fakt viktimat e dhunës seksuale diskriminohen duke filluar nga ligji që rregullon pozitën e tyre sepse viktimat e dhunës seksuale nuk kanë benefitet e njëjta me kategoritë e tjera të luftës e sidomos, fusha ku ato ndjejnë më shumë diskriminim është sidomos në fushën e shëndetësisë, punësimit dhe pastaj të tjerat” – thotë ajo për KALLXO.com.

Krasniqi – Goodman thotë se pavarësisht se përkrahja, sidomos morale është rritur në vitet e fundit, mbështetja e duhur është ende larg të arrihet.

“Ka një lloj standardi të dyfishtë kur është fjala për gratë viktima” – thekson ajo.

Pensioni, thotë ajo, është vetëm një hap i vogël i njohjes si kategori e viktimave pas më shumë se një dekade mohimi.

“Por kjo nuk është një skemë reperacionesh që duhet të kryej shteti kryerës, në këtë rast Serbia. Por as nuk është një ndihmë që do të zbuste gjendjen viktimave që po përballen me një gjendje të rëndë shëndetësore. Në shumë raste të luftërave tani po kërkohet një skemë e reparacioneve që quhen reparacione të përkohshme si në rastin e Ukrainës ku viktimat kane filluar të përfitojnë nga kjo skemë që e ka ofruar qeveria”- shprehet ish-deputetja.

Sipas saj, stigmatizimi në punësim është pjesë e mozaikut të përgjithshëm të stigmatizimit dhe trajtimit të tyre si viktima.

Ajo shpreson që Kuvendi i Kosovës të zgjerojë edhe skemën e benificioneve sidomos ato shëndetësore.

“Shpresoj që Kuvendi i Kosovës kur të trajtojë ligjin për zgjatjen e mandatit të aplikimit për njohjen e statusit të viktimave  që ka skaduar në shkurt të këtij viti, jo vetëm të zgjas pa afat mundësinë e aplikimit të viktimave për status, por edhe të zgjerojë skemën e benificioneve, sidomos shëndetësore” – ka thënë Vasfije Krasniqi- Goodman.

Strehë e viktimave përballë sfidave 

Në Kosovë ekzistojnë katër organizata të cilat merren me trajtimin e grave që kanë pësuar traumë gjatë luftës.

Në qytetin e Drenasit funksionon tash e një dekadë, Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në të cilën përveç shërbimeve, këto gra punojnë varëse dhe brosha punime dore. Punimet e tyre shiten në disa pika në Prishtinë.

Drejtoresha e kësaj shoqate, Kadire Tahiraj, thotë se shpeshherë janë ndjerë të paragjykuara dhe të diskriminuara për shkak të kategorisë së grave që punojnë këtu.

“Përveç kryetarit të komunës që na promovon, por çka konsiderojmë që jemi të diskriminuar është se komuniteti për shembull kur ne dëshirojmë me bë ndonjë aktivitet ose ndonjë vizitë shpeshherë na vihet gishti “hajt se ajo është organizatë që merret me viktima të dhunës seksuale” – thotë Tahiraj për KALLXO.com.

Përballë stigmës, drejtoresha e QPDG-së thotë se grave të cilave iu është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale në luftë, nuk kanë beneficione përveç pensionit – 230 euro.

Krahas kësaj thotë se nuk gjejnë mbështetje as nga bizneset.

Ndërkaq, përmend si shembull Komunën e Skenderajt dhe Drenasit që kanë ofruar strehim në dy raste. Në këtë organizatë janë të bashkangjitura edhe gratë nga komunat tjera të Kosovës.

“Nuk kemi pasur ndonjë biznes që na është ofru, ndërsa nga presidenca marrin punime nga ne, më 14 prill është shënuar edhe dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë. Por në përgjithësi me institucionet e Kosovës jemi të zhgënjyer, nuk trajtohet këto viktima ashtu sikurse kategoritë tjera të luftës. Dhe ne kërkojmë që të trajtohet dinjiteshëm” – ka thënë Kadire Tahiraj.

“Të diskriminuara janë sepse nuk janë përfituese të asnjë beneficioni që janë të paraparë me ligj, ndryshe nga kategoritë tjera të luftës. Qoftë në marrjen e shërbimeve shëndetësore, qoftë në punësim, ose në pajisjen e kartelave për marrjen e shërbimeve shëndetësore pa participu, përveç kësaj pensionit, nuk janë përfituese të asnjë beneficioni që pesë vite që ka fillu implentimi i këtij ligji” – thotë ajo.

Medica Kosova është një prej organizatave që iu ka ndihmuar grave që të aplikojnë për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Drejtoresha e Medica Kosova, Veprore Shehu, rrëfen vështirësitë financiare dhe zvarritjen e licencimit, e cila sipas saj, pamundëson marrjen e fondeve publike.

Sipas saj, mungesa e fondeve pastaj ndërprenë edhe procesin e trajtimit të grave.

“Së pari përkrahja financiare nuk është e qëndrueshme, jo veç për organizatën tonë, por në përgjithësi po flas për organizatat që punojnë më këtë kategori të grave që kanë fonde afatshkurta, pasi procesi i rehabilitimit të këtyre grave duhet me qenë i vazhdueshëm. Nëse një grua e kanë trajton sot, nesër nuk ki mjete me ja mbulu shpenzimet, ka pastaj ndërprerje të kësaj vazhdimësie të trajtimit” – thotë ajo.

“Ne si organizatë kemi apliku për licencim prej shkurtit të vitit të kaluar, që mbi një vit nuk kemi marrë përgjigje në këtë aspekt. Kjo nënkupton që na kanë ikur edhe 2-3 konkurse të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me pamundësi me kërku fonde për shkak të mungesës së licencimit” – shprehet ajo.

Lidhur me çështjen e licencimit, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punës, por të njëjtit kanë thënë kjo kompetencë ka kaluar në Ministrinë e Drejtësisë që nga janari 2023.

Ndërkaq, nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se ende nuk ka vendim përfundimtar nga Komisioni Vlerësues për përzgjedhjen e projekteve për mbështetje financiare publike për OJQ-të e licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.

“Në momentin kur do të kemi vendim përfundimtar, do të informoheni për të gjithë përfituesit e subvencioneve përmes ueb faqes së MD” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej, Shehu deklaroi se gratë duhet pasur shërbime rehabilituese dhe t’iu ofrohen shërbime juridike.

“Ajo çka është e rëndësishme është që këto gratë gjithsesi duhet me pasë qasje në shërbime rehabilituese, sepse këto shërbime duhet me qenë në vazhdimësi, shërbimet juridike po ashtu, ka gra që kanë nevojë me iu mbulu edhe disa shpenzime” – thotë ajo.

Shehu përmend edhe faktin se si gratë gjatë procesit të njohjes së statusit janë ndjerë jo mirë emocionalisht dhe më pas, iu është refuzuar ky status.

“Kemi pasur dy tre raste që mbi 100 për qind të sigurta që kanë pësu në luftë, që kanë pasur sulme paniku, ju ka humb gati vetëdija para komisionit duke dashur me dëshmu statutin, dhe së pari nuk është mirë as me i thirr në intervistë këto raste që janë shumë të ndjeshme dhe pavarësisht kësaj, edhe i kanë refuzu statusin” – rrëfen ajo.

Më tutje, ajo thotë se këto gra duhet të mos ndjehen të diskriminuara në shoqëri as nga institucionet, pasi shton se vetë dhuna që kanë pësuar mjafton për këto viktima.

“Është mirë që këto gra mos me u ndje të diskriminuara as në shoqëri as karshi institucioneve se vetë forma e dhunës që ato kanë pësu në luftë, dhe pasojat që iu kanë mbet mjafton që këto gjithë jetën më u ndje si të turpëruara, të diskriminuara për shkak se dhuna seksuale tek ne është një formë e dhunës që krijon ndjesi të fajit, turpit” – thotë ajo.

‘Dyfish viktimë’ 

Gratë kane pësuar barrën e diskriminimit dhe stigmatizimit të dyfishtë – njëherë në luftë e pastaj nga shoqëria.

Kështu thotë sociologia Linda Gusia në një prononconim për KALLXO.com teksa shton nevojën që këto gra të gjejnë mbështetje duke filluar nga familja.

“Konsideroj qe në përgjithësi nuk i kemi trajtuar viktimat civile të luftës me kujdesin dhe dinjitetin e merituar, veçanërisht gratë që kanë pasur barrën e diskriminimit dhe stigmatizimi të dyfishtë njëherë në luftë dhe pastaj pas luftës nga paragjykimet e shoqërisë tonë” – thotë ajo.

Ajo konsideron se stigmatizimi dhe mungesa e mbështetjes së mirëfilltë institucionale dhe vetë trauma e pa trajtuar, ka ndikuar që shëndeti i tyre të komprometohet skajshëm.

“Stigma manifestohet në forma të ndryshme, p.sh. shumë gra kanë humbur mbështetjen e të afërmeve, e ndoshta më e rëndësishmja për mbijetesën e tyre shumë nga to kanë humbur shtëpitë dhe trashëgiminë” – thotë ajo duke shtuar se nevojitet një strategji kombëtare që t’iu jepet një trajtim dinjitoz këtyre grave.

Trajtimi i traumave të shkaktuara nga dhuna seksuale duhet të jetë i vazhdueshëm thotë Selvije Izeti, psikologe në Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Sipas saj, trauma e tyre mund të bartët nga brezi në brez nëse nuk marrin trajtimin e duhur.

“Trajtimi i grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gatë luftës, është tejet i rëndësishëm për t’iu mundësuar atyre shërimin e traumës dhe rindërtimin e jetës së tyre. Duke marrë parasysh që të mbijetuarat vuajnë në heshtje dhe e fshehin eksperiencën e tyre traumatike, apo ta mbajnë sekret përvojën e tyre të dhunës seksuale, sepse në këtë mënyrë mendojnë se ndoshta pasojave sociale si etiketimi, stigmatizimi dhe paragjykimi, por në anën tjetër kjo heshtje e tyre ka sjellur pasoja të mëdha në shëndetin e tyre fizik dhe mendor” – thotë ajo.

Sipas psikologes, shumë të mbijetuara vazhdimisht përballen me frikë, vetëfajësim, depresion, mendime vetëvrasëse, çrregullim të stresit.

Ajo thotë se të vetmen mbështetje psikologjike dhe shëndetësore të mbijetuarat vazhdojnë ta marrin përmes organizatave joqeveritare, që ofrojnë këto shërbime falas që nga pas lufta, ndërsa në aspektin institucional, psikologia shton se të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë të diskriminuara në raport me kategoritë e tjera të dala nga lufta “që marrin shërbime shëndetësore falas nga institucionet”.

“… ndërsa kjo kategori ende nuk e gëzon këtë të drejtë, pavarësisht avokimit të vazhdueshëm nga na e OJQ-ve QKRMT siguron një qasje multidisiplinare të integruar për trajtimin shëndetësor dhe psiko-social ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale . Ekipi ynë profesional punon për të forcuar mirëqenien psikologjike, fizike dhe sociale të mbijetuarve të traumatizuar dhe familjet e tyre dhe për riintegrimin e tyre në shoqëri” – thotë ajo.

Sipas psikologes, në përgjithësi deri vonë të mbijetuarat e dhunës seksuale janë etiketuar dhe stigmatizuar nga shoqëria por shton se viteve të fundit është punuar shumë nga OJQ në sensibilizimin e popullatës për t’iu qasur drejtë kësaj kategorie.

“Dhe tani shoqëria kosovare në përgjithësi është më mbështetëse karshi të mbijetuarve, por mbetet ende për t`u bërë në luftimin e stigmës, në mënyrë që të mbijetuarit të trajtohen dinjitetshëm dhe të barabartë” – shprehet psikologja për KALLXO.com.

‘Krahu’ i shtetit 

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’iu njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Kurse në vitin 2018, është formuar edhe Komisioni qeveritar për verifikimin dhe pranimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Janë 1491 gra që kanë arritur të sigurojnë statusin që nga viti 2018, kur filloi punën Komisioni për Verifikimin e Viktimave Seksuale Gjatë Luftës i Qeverisë së Kosovës.

Kryesuesja e këtij komisioni, Leonora Selmani ka përmendur të gjitha beneficionit që kjo kategori përfiton sipas Ligjit.

“Mandati i Komisionit Qeveritar është i specifikuar me rregulloren (QRK) nr. 22/2015 për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës dhe ka për obligim vetëm njohjen e statusit viktime e dhunës seksuale të luftës përderisa beneficionet e parapara për këtë kategori janë të specifikuara në ligjin nr. 04/L-172 sipas të cilit viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ne Kosove përfitojnë:

  •     Pension personal të viktimës së dhunës seksuale të luftës;
  •     Shërbime shëndetësore jashtë vendit i gëzojnë edhe viktimat e dhunës seksuale të luftës, për gjendjen shëndetësore të përkeqësuar, që është pasojë e luftës dhe për të cilën nuk ka shërim në vendin tonë;
  •     Përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, në përputhje me Ligjin nr. 03/L-19 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, është e drejtë të cilën e realizojnë viktimat e dhunës seksuale të luftës;
  •     Lirimi nga tatimi në pronë është e drejtë që e realizojnë familjet e viktimave të dhunës seksuale të luftës që janë në gjendje të rëndë ekonomike;
  •     Përkujdesja për banim është e drejtë të cilën e realizojnë familjet e viktimave të dhunës seksuale të luftës të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike, për të cilët Qeveria e Kosovës do të angazhohet për sigurimin e strehimit familjar përmes ndërtimit të objekteve kolektive të banimit social;
  •     Përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar do ta kenë familjet e ngushta të viktimave të dhunës seksuale të luftës të cilët nuk e kanë të zgjidhur strehimin familjar.

Sipas Selmanit, Komisioni në përputhje me legjislacionin në fuqi ka bashkëpunim me 4 OJQ të licencuara nga Ministria për Financave, Punës dhe Transfereve e “të cilat ndihmon palët për procesin e aplikimit për njohje të statusit dhe së i ndihmojnë palët gjatë tërë procesit”.

Në vitin 2014, Kosova kishte miratuar një ligj për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar, duke ua mundësuar kështu atyre një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

Së fundi, afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë edhe për dy vjet të tjera, deri më 2025. Deri më tani, këtë status e kanë gjithsej 1,451 persona.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

QKRMT-ja ka të dhëna për rreth 900 viktima.

Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive.

Sipas një raporti të Qendrës e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila që nga viti 2019 ka nisur dokumentimin e përdhunimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës, bëri të ditur se nga 900 raste të dokumentuara deri tash, 15 për qind e tyre janë të moshës nën 18 vjeç.

Në raportin me një sërë rekomandimesh të lëvizjes globale Amnesty International, kishte thënë se autoritetet kosovare duhet të promovojnë të drejtat e grave, përfshirë edhe nisma të tilla si programe në shkolla dhe për publikun që sfidojnë stigmën dhe diskriminimin në shoqëri kundër të mbijetuarve të dhunimit, si dhe të thyej ciklin e diskriminimit dhe shfuqizimit të grave dhe vajzave.

Amnesty International ka rekomanduar Qeverinë që të krijohet mundësi për kujdes të duhur shëndetësor falas, mes të tjerave edhe trajtimi mjekësor dhe psikologjik, duhet të paktën, t’iu ofrohet të mbijetuarve pa u vonuar, qoftë duke i përfshirë në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor si përfitues të kujdesit shëndetësor falas, ose nëpërmjet ndryshimeve të ligjit (Ligji 04/I-172), në mënyrë që t`u sigurohet qasja në kujdesin shëndetësor primar, sekondar, dhe terciar pa pagesë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Si zgjidhet çështja e kompensimit diku tjetër?

Në vitin 2015, Kroacia miratoi një ligj për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, sipas të cilit ato kanë të drejtë ligjore për një kompensim nga 13 mijë deri në gati 20 mijë euro, si dhe kompensim mujor e sigurim shëndetësor.

Në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, viktimat e përdhunimit të luftës mbulohen nga Ligji për bazat e mbrojtjes sociale, mbrojtjen e viktimave civile të luftës dhe mbrojtjen e familjeve me fëmijë.

Në entitetin tjetër të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, që nga viti 2018 është në fuqi Ligji për mbrojtjen e viktimave të torturës së luftës.

Në Distriktin Bërçko, si njësi e veçantë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë, ekziston Vendimi për mbrojtjen e viktimave civile të luftës.

Gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës përballen me problemin e mbledhjes së dëmshpërblimeve për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës të vitit 2013, sipas të cilit ato mund ta padisnin shtetin për dëmin jomaterial (psikologjik apo emocional) të pësuar deri në vitin 1999, katër vjet pas përfundimit të luftës.

Në më shumë se dy dekada pas luftës, autoritetet në Kosovë kanë dënuar vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim.

Në Kosovë hetimet për krime lufte kryhen nga vetëm katër prokurorë

Më 27 prill 2023, kryeministri Albin Kurti ka takuar përfaqësues të organizatës Medica Gjakova, e cila merret me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, në të cilin takim citohet se ka deklaruar se hetuesit dhe prokurorët që punojnë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duhet shtuar angazhimin e përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

Ai tha se për këtë Qeveria ka shtuar buxhetin për të rritur kapacitetin për të trajtuar krimet e luftës, duke shtuar buxhetin për 4 prokurorë, 6 profesionistë dhe 2 përkthyes për rastet e krimeve të luftës.

Ndërsa, shtoi se në Policinë e Kosovës në të kaluarën, krimet e luftës janë trajtuar në sektor në kuadër të Hetimeve të Krimeve të Rënda me 19 zyrtarë, me strukturën e re të miratuar, “është ngritur në nivel të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës, e cila do të ketë 41 hetues”.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.