Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për financim të terrorizmit

Është shtyrë gjykimi i shtetasit iranian Hasan Azari Bejandi, të akuzuarit për financim të terrorizmit.

I akuzuari Bejandi, drejtor i OJQ-së “Kurani” nuk është paraqitur në gjykatë.

Kjo është hera e dytë që i akuzuari nuk paraqitet personalisht në gjykatë.

Mbrojtësi i të akuzuarit i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokat Esat Gutaj, duke arsyetuar mosprezencën e klientit të tij njoftoi para gjykatës se nuk ka mundur të bie në kontakt me të akuzuarin.

“Personalisht kam qenë në ambasadën e Iranit në Tiranë, për të kërkuar mundësinë e kontaktimit të klientit tim Hasan A.Bejandi. Mirëpo, një zyrtar i ambasadës më informoi se me ndërrimin e stafit i kemi humbur edhe kontaktet me Hasanin, i cili më parë ka qenë zyrtar i ambasadës iraniane”, tha avokati.

Në bisedë e sipër, avokati sqaroi se nga ambasada i kanë  kërkuar garancion që mund të angazhohen që ta gjejnë dhe të sjellin Hasanin në Kosovë, duke i siguruar vizë nëpërmjet Shqipërisë, me kusht që ai mos të arrestohet.

Më tutje shtoi avokati Gutaj: “unë iu ofrova sigurinë që ai është për momentin i lirë dhe se i kemi ofru mundësinë e dorëzanisë për të siguruar prezencën e tij në seancë gjyqësore. Andaj i propozoj Prokurorisë së shtetit që nëse ekziston mundësia dhe vullnet i mirë nga ana e tyre, ta mbyllim këtë çështje, duke negociuar arritjen e  marrëveshjes për pranim të fajësisë, në mënyrë që me ju drejtu ambasadës Iraniane në Tiranë, që ta sjellin atë në seancë gjyqësore, përndryshe ai është i pakapshëm”.

Prokurorja e rastit Drita Hajdari mori fjalën lidhur me njoftimin dhe ofertën e avokatit Gutaj, për negocimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë dhe theksoi se që kjo mundësi është e përcaktuar edhe me dispozitat e KPPK-së, “andaj pranoj që të takohem dhe në harmoni me ligjin të negociojmë pranimin e fajësisë. Ndërsa për rezultatin e negocimit do ta njoftojmë gjykatën me kohë”, tha ajo.

Pas deklarimit të prokurores Drita Hajdari, gjyqtari i çështjes Vesel Ismajli ndërpreu seancën për kohë të pacaktuar, duke njoftuar se seanca e radhës do të caktohet pasi të njoftohet lidhur me rezultatet e negocimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

https://kallxo.com/akuzuari-per-financim-te-terrorizmit-ne-iran-shtyhet-gjykimi/