Gjykimi i Shaban Buzës | Foto: KALLXO.com

Shtyhet Gjykimi i Rektorit Shaban Buza

Në mungesë të provave dhe shkresave të padorëzuara nga ana e prokurorisë është shtyrë gjykimi ndaj rektorit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Shaban Buza.

Në gjykimin ku Prokuroria e Gjakovës pretendon se rektori Buza ka keqpërdorur detyrën zyrtare, kjo prokurori nuk i kishte bashkangjitur provat me të cilat pretendon se do ta gjejë fajtor këtë të fundit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Buza, avokati Teki Bokshi në fillim të kësaj seance tha se klienti i tij nuk mund të deklarohet lidhur me fajësinë apo pafajësinë krejt kjo për shkak se prokuroria nuk i ka dërguar provat me të cilat pretendon se Buza ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Propozimin për shtyrje të seancës nuk e kundërshtoj prokurori Ali Uka që u zotua se palët do të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës në një afat të shumë të shkurtër.

Prokuroria do të ketë afat dhjetë ditë që të pajisë palët me provat dhe shkresat e lëndës.

Shqyrtimi i radhës është caktuar më 17 korrik 2017.

Buza akuzohet në lidhje me një inspektim nga Inspektorati i Arsimit i cili ka konstatuar se në Universitetin e Gjakovës në mënyrë të kundërligjshme janë pranuar mësimdhënësit pa dokumentacion të noterizuar, pa dokumentacion të nostrifikuar të diplomave të lëshuara jashtë Kosovës, si dhe janë pranuar asistentë të cilët e kanë kaluar moshën e paraparë me ligj.

Në periudhën kohore prej 9 tetorit 2015 e deri më 13 shtator 2016, në cilësinë e rektorit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe t’i shkaktojë dëm Universitetit, ka keqpërdorë pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare”, thuhet në aktakuzë.

Akuza më tej sqaron se janë rekrutuar disa mësimdhënës dhe asistentë pas konkursit për vitin akademik 2015/2016.

“Po ashtu janë pranuar mësimdhënësit pas konkursit për vitin akademik 2015/2016 dhe nga këto janë 7 ligjërues të angazhuar dhe 20 janë asistentë të angazhuar pa konkurs, në këtë mënyrë ka bërë shkelje të ligjit duke dëmtuar të hyrat e Ministrisë së Arsimit”, thuhet më tej në aktakuzë.

Kur u ngrit aktakuza ndaj tij, Buza tha për KALLXO.com se është duke e shqyrtuar këtë aktakuzë.

http://kallxo.com/rektori-universitetit-te-gjakoves-flet-rreth-aktakuzes-kunder-tij/