Shaban Buza. Foto: Facebook

Profesori i UP-së prodhon maska mbrojtëse 3D për personelin shëndetësor

Në këto ditë pandemie padyshim që secilit vend në botë u duhen njerëz që mobilizohen për t’i dalë në ndihmë njëri- tjetrit, por ata që më së shumti u ndihet nevoja janë mjekët dhe i gjithë personeli shëndetësor.

Maska farmaceutike e pajisje tjera të nevojshme janë shpërndarë pothuajse në çdo vend, por ka edhe të atillë që maskat mbrojtëse i projektojnë dhe prodhojnë vet.

Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës, i cili u ligjëron studentëve në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, ka nisur iniciativën për të prodhuar një prototip për maska mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Për këtë ai ka bashkëpunuar me Universitetin Transilvanisë në Rumani dhe Universitetin Politeknik në Spanjë.

“Për t’i ndihmuar punonjësit shëndetësorë që janë në ballë të frontit me COVID-19 në Kosovë e Shqipëri mora nismën për prodhimin e një prototipi të pajisjes të emërtuar “Faceshield Mask, Second Line Protection for Hospitals” apo “Maska mburojë e fytyrës, mbrojtja e linjës së dytë për spitale”. Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja”, tha Buza për KALLXO.com.

Kontingjenti i parë prej 140 maskave është dorëzuar sot si dhurim humanitar në Barnatoren e QKUK-së në Prishtinë, si pikë grumbullimi, e cila edhe do të përkujdeset për shpërndarjen sipas nevojave të klinikave përkatëse.

Tashmë kësaj iniciative iu kanë bashkangjitur edhe persona të tjerë vullnetarë.

Bashkëpunëtorët në Kosovë do të udhëhiqen nga ai ndërsa bashkëpunëtorët në Shqipëri nga vajza e tij, Dea Buza.

“Të gjitha ekipet kanë filluar prodhimet e pajisjes, janë vënë kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat dhe të hënën do të bëhet dorëzimi i më shumë se 100 maska në QKUK për Klinikën Infektive”, tha tutje ai.

Ai shpreson që projektet në të ardhmen të jenë për mirëqenie dhe përparim jo për kohë emergjente.

Tutje, Buza potencon se vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, poashtu edhe numër shtesë i 3D printerëve. Andaj, ai fton të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve.

Ai në fund ka falënderuar të gjithë vullnetarët që i kanë ndihmuar për këtë iniciativë kundër COVID- 19.

“Maska për fytyrë, e krijuar nga ju, shpëton ata për të na shpëtuar neve”, shprehet në fund ai

Biografia e Shaban Buzës

Shaban Buza u diplomua në Inxhinieri Mekanike në UP në 1982, mori gradën Master në Universitetin e Mostarit në Bosnjë dhe Hercegovinë në 1988 dhe Doktoratën e Shkencave Teknike në Inxhinieri Mekanike në UP në 1998.

Ai është profesor i rregullt me mbi tridhjetë e gjashtë vjet përvojë akademike në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, ai ligjëron për  Teorinë e Dizajnit Inxhinierik, sistemet CAD/CAM , CAE dhe fabrika digjitale, Metodat e elementeve të fundme, si dhe Rezistenca e Materialeve.

Në vitin 2015 deri më 2019 ka qenë rektor në Universitetin “Fehmi Agani”,në Gjakovë, si dhe prodekan dhe dekan në FIM nga viti 2013 deri më 2015.

Buza jeton në Prishtinë, me gruan dhe djalin ndërsa vajza punon dhe jeton në Tiranë, Shqipëri.

Puna e tij nuk përfundon vetëm me ligjërimet, ai është edhe antarë i komisionit të doktoratëve, si dhe vazhdon të jetë mentor i shumë studentëve në temat e diplomës për inxhinieri si në bachelor ashtu edhe në master.

Me ekipet punuese të studentëve ai ka projektuar dhe ka prodhuar disa prototipe të pajisjeve në lëndët përkatëse që prezantojnë teknologji moderne të mësimdhënies dhe mësimit.

Gravuesi laserik, vizatuesi apo ploteri, shtëpia e automatizuar apo e mençur, kyçja dhe shkyçja e veturës me dirigjim me telefon, pajisja për grumbullimin e mbeturinave në kanalet e ujit, shuarësi automatik i zjarrit, vizatimi me krahun robotik INGUS, shtypësit elektrik i kanaqeve për të shtypur dhe deponuar për riciklimim me qëllim të shmangies së ndotjes së ambientit, prototipi i pajisjes për detektimin e mjeteve të pashpërthyera i emërtuar RoboDet apo Roboti për Detektim, janë vetëm disa nga projektet që Buza i ka bërë me studentë.

Ai gjithashtu është aktiv në shumë komisione, shoqata dhe grupe punuese kombëtare dhe ndërkombëtare.

Për shumë vjet, Shaban Buza ka punuar edhe si gazetar nga Prishtina i agjencisë së njohur të lajmeve Reuters.