Shtyhet gjykimi për fajde, mungon gjyqtari

Në Gjykatën e Gjilanit ishte paraparë vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Agim Xhaferi e Avni Hoti nga Gjilani dhe Arben Rexhepit nga Malisheva e Gjilanit.

Ata akuzohen nga Prokuroria se kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi qysh në fillim të seancës njoftoi se trupi gjykues nuk është i kompletuar, për shkak se anëtari i trupit gjykues gjyqtari Berat Spahiu ishte i angazhuar nga  Këshilli Gjyqësor i Kosovës, lidhur me harmonizimin e aktgjykimeve në lëmin civil.

Andaj edhe prezenca e tij për seancën e sotme nuk ka mundur të sigurohet.

Meqenëse nuk pati kushte për vazhdimin e seancës, trupi gjykues në përbërje nga anëtarët Agim Ademi, dhe Sahit Borovci, morën aktvendim dhe vendosën që seanca të shtyhet.

Në këtë gjykim mungoi edhe i dëmtuari në këtë rast, Faton Sylejmani, si dhe avokatja e tij, Sadbere Maliqi, e cila me një parashtresë kishte arsyetuar mungesën e saj, duke e njoftuar trupin gjykues se nuk ka mundur të prezantojë në këtë gjykim për shkak se të njëjtën ditë ka qenë e angazhuar në një rast penal në Gjakovë.

Sipas përshkrimit të aktakuzës së Prokurorisë së shtetit në Gjilan, i pandehuri Agim Xhaferi akuzohet për veprën penale fajde sepse nga viti 2013 gjer më datë 8 shkurt 2017 në Gjilan në vazhdimësi me qëllim të përfitimit ka kontraktuar shuma të hollash të dukshme joproporcionale të pasurisë, në atë mënyrë që e ka shfrytëzuar gjendjën e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Sylejmani, ku i pandehuri ia ka dhënë shumën prej 115.000 euro, ashtu që i dëmtuari Faton Sylejmani është detyruar që të pandehurit t’ia paguajë borxhin kryesor prej 115 mijë eurosh dhe kamatën në emër të fajdesë me shumë prej 68 mijë eurove, në shumë totale prej 183.000 euro.

I pandehuri Avni Hoti akuzohet për veprën penale fajdeja sepse nga viti 2013 gjer më datë 8 shkurt 2017 në Gjilan në vazhdimësi me qëllim të përfitimit ka kontraktuar shuma të hollash të dukshme jo proporcionale të pasurisë, në atë mënyrë që e ka shfrytëzuar gjendjën e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Sylejmani, ku i pandehuri ia ka dhënë shumën prej 120.000 frangave zvicerane, ashtu që i dëmtuari Faton Sylejmani është detyruar që të pandehurit t’ia paguajë borxhin kryesor prej 120.000 frangave dhe kamatën në emër të fajdesë me shumë prej 54.270 frangave zvicerane, në shumë totale prej 174 mijë e 270 frangave.

I pandehuri Arben Rexhepi akuzohet për veprën penale fajdeja sepse sepse nga viti 2013 gjer më datë 8 shkurt 2017 në Gjilan në vazhdimësi me qëllim të përfitimit ka kontraktuar shuma të hollash të dukshme joproporcionale të pasurisë, në atë mënyrë që e ka shfrytëzuar gjendjën e rëndë financiare të të dëmtuarit Faton Sylejmani, ku i pandehuri ia ka dhënë shumën prej 45.000 frangave zvicerane, ashtu që i dëmtuari Faton Sylejmani është detyruar që të pandehurit t’ia paguajë borxhin kryesor prej 45.000 frangave dhe 30 mijë euro si dhe kamatën në emër të fajdesë me shumë prej 88.000 frangave zvicërane, dhe 35.700 euro në shumë totale prej 133.000 frangave zvicerane dhe 65.700 euro.

Shqyrtimi  gjyqësor  do të vazhdojë më 23 nëntor 2018.