Gjykimi i Artan Hasanit për fajde - Foto: KALLXO.com
Prizren, me vendim të Gjykatës i dyshuari për fajde nga paraburgimi në arrest shtëpiak
Gjykata e Prizrenit e ka zëvendësuar masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak për të dyshuarin për fajde.
Artan Hasani po dyshohet nga Prokuroria se ka pranuar shuma joproporcionale duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit.
Një shumë prej 3 mijë eurosh u kërkua nga K.Sh. për të rregulluar një vizë pune, por detyrimi i të dëmtuarit arriti në total 125 mijë euro për shkak të kamatave.
Hasani ka qëndruar në paraburgim që nga data 22 nëntor 2022.
Në shqyrtimin fillestar avokati i tij, Metush Biraj, propozoi zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak, duke argumentuar se janë përmbushur kushtet ligjore dhe se nuk ka rrezik se i pandehuri do të arratiset, fshihet apo largohet.
“I njëjti është invalid i luftës dhe më së paku ka arsye që të fshihet, sepse ai është i interesuar që çështja penale të zhvillohet sa më shpejt. I njëjti gjithashtu nuk do të ndikojë në dëshmitarë apo të dëmtuar sepse provat Prokuroria i ka mbledhur të gjitha” – ka deklaruar avokati Biraj.
Këtë çështje, prokurorja e çështjes, Ervehe Gashi, e ka lënë në vlerësim të Gjykatës.
“Në shkresat e lëndës nuk ekziston asnjë tendencë e mbrojtjes për ta vërtetuar ligjshmërinë ose kundërligjshmërinë e paraburgimit. Gjithashtu, dua t’i rikujtoj Gjykatës se dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria njihen me këtu të akuzuarin dhe të dëmtuarin. Andaj ky kusht apo kjo rrethanë për të cilën është caktuar paraburgimi qëndron akoma” – ka thënë prokurorja.
Gjykatësi i çështjes, Artan Sejrani, ka aprovuar zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Ndërkaq, shqyrtimi fillestar, në mungesë të të dëmtuarit dhe mbrojtësit të tij, ka dështuar që të mbahet.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 28 shtator 2023.
Sipas Prokurorisë, Artan Hasani nga viti 2020 e në vazhdim deri më 22 nëntor 2022, në fshatin Randobravë kontrakton dhe vazhdon të pranojë një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
I njëjti, sipas aktakuzës, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e tij, gjatë periudhës së lartcekur duke e ditur se i dëmtuari K.Sh. e ka gjendjen e rëndë financiare dhe paratë i nevojiten për rregullimin e vizës së punës si dhe duke e ditur se i dëmtuari nuk është duke punuar si pasojë e pandemisë “COVID-19”, i jep borxh me kamata.
Në dosje sqarohet se i pandehuri Artan Hasani fillimisht i jep borxh të dëmtuarit 3 mijë euro me kamata mujore në lartësi prej 25% të borxhit të dhënë.
Për gjashtë muaj, i dëmtuari paguan nga 750 euro në emër të kamatës mujore, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas dosjes, pas dy muajve, të dëmtuarit i jep borxh shumën prej 5 mijë euro me kamatë mujore në lartësi prej 15% të borxhit të dhënë, me ç’rast i dëmtuari paguan nga 750 euro në emër të kamatave mujore.
Tutje në dosje thuhet se pas katër muajve të dëmtuarit i jep borxh shumën prej 10 mijë euro me kamatë 15% të borxhit të dhënë, dhe i dëmtuari paguan nga 2,250.00 euro në emër të kamatës mujore.
Por, sipas Prokurorisë, në momentin kur i dëmtuari nuk ka mundur ta paguajë kamatën mujore, borxhin i pandehuri e ka rritur në 25 mijë euro, duke llogaritur kamatën mujore prej 15% i cili për tre muaj paguan 3,750.00 euro.
Sipas dosjes, i dëmtuari edhe pas dy muajve nuk ka mundur ta paguajë kamatën mujore e as borxhin kryesor, kështu i pandehuri i ka dhënë edhe 5 mijë euro borxh, duke e rritur borxhin kryesor në 30 mijë euro me kamatë mujore prej 15%. Për tre muaj i dëmtuari paguan nga 4,500.00 euro në muaj në emër të kamatës.
Prokuroria pretendon se në momentin kur i dëmtuari për shkak të gjendjes së rënduar financiare ndërpret t’ia paguajë kamatën e kontraktuar, i pandehuri ia rrit borxhin kryesor për 20 mijë euro, duke ia llogaritur kamatën mujore në lartësi prej 25% të borxhit të dhënë, i cili për 3 muaj paguan 28,500.00 euro në emër të kamatës.
Sipas aktakuzës, në muajin shkurt 2022, pasi që i pandehuri takohet me të dëmtuarin, i pandehuri ia jep të nënshkruajë një letër të dëmtuarit që i dëmtuari i ka borxh shumën prej 68,000.00 e që për këtë borxh ka paguar në emër të kamatës 16,750.00 euro.
“Në total i pandehuri ia llogarit të dëmtuarit edhe borxhin kryesor dhe kamatat e papaguara në vlerë 88,000.00 e që i dëmtuari deri në ditën e lajmërimit të rastit në Polici 8 shtator 2022 ka paguar shumën prej 16,750.00 në emër të kamatës”- thuhet në aktakuzë.
Më datë 22 nëntor 2022, gjatë aplikimit të masave të fshehta i pandehuri i pranon në emër të kamatës edhe 10 mijë euro nga vëllai i të dëmtuarit, më ç’rast arrestohet në flagrancë.
Deri në ditën e arrestimit, sipas Prokurorisë, shuma e përgjithshme e kamatave të papaguara për borxhin e marrë është 125,500.00 euro.
Me këtë, sipas Prokurorisë, i pandehuri Artan Hasani ka kryer veprën penale – fajdeja.