Shtyhet Gjykimi i Ish-Zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit

Seanca e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit Ferdije Zhushi e Basri Muja edhe pse ishte paraparë të zhvillohej sot është shtyrë për dy javë.

Lajmin për shtyrjen e seancës e bëri të ditur për KALLXO.com Ramë Gashi, avokati i Armend Mujës.

Gashi tregoi se seanca që është dashur të zhvillohej sot, është shtyrë më 13 tetor.

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

KALLXO.com vazhdimisht ka shkruar për këtë proces gjyqësor.