Ministrat e Financave, Avdullah Hoti dhe Arben Ahmetaj - Foto: MEF

Shqipëria i Premton Sërish Kosovës Dalje në Det

Në vitin 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kishte premtuar se porti i Shëngjinit do t’i takojë Kosovës.

Megjithatë, shtatë vjet më vonë asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim.

Në një tryezë të organizuar sot në Prishtinë, ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha se importuesit kosovarë dhe Kosova mund ta shfrytëzojnë portin e Durrësit dhe se ky port do të funksionojë si ndalesa e fundit për bizneset kosovare.

“Kryesorja është ideja që porti i Durrësit të jetë me procedura unike për sipërmarrësit kosovarë, e thënë më thjeshtë në kuadrin e fasilitimit të tregtisë ky port të funksionojë si ndalesa e fundit për importuesit kosovarë”, kështu premtoi ministri Ahmetaj në takimin përgatitor për mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive që pritet të realizohet në fillim të muajit qershor.

http://kallxo.com/kosova-humb-shpresen-per-dalje-ne-det

Ministri Ahmetaj theksoi se ministritë respektive të të dyja vendeve janë duke punuar në çështje specifike dhe konkrete të cilat shkojnë në thjeshtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore dhe tregtare në favor të sipërmarrjes të të dy anëve.

“Unifikimi i tregut nuk është thjeshtë një dëshirë politike apo një dëshirë romantike, por është një proces konkret i cili hap pas hapi, vit pas viti, bëhet edhe më i prekshëm”, tha ai.

Ministri shqiptar theksoi po ashtu se tregtia në mes dy vendeve ka përmirësime dhe kanë mundësi që volumet tregtare të rriten edhe më tej “Ka hapësira shumë të mëdha edhe për shkak të strukturës së të dy ekonomive dhe produkteve që të dy ekonomitë prodhojnë dhe konsumojnë.  Është detyrë e jona që të bëjmë thjeshtësimin e procedurave, kurse të tjerat sigurisht i bënë sipërmarrja”, shtoi Ahmetaj.

Ndërsa, Avdullah Hoti, ministër i Financave i Kosovës, tha se ka përmirësime në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ndonëse potencoi se ka hapësirë për heqjen e mëtejme të barrierave.

“Marrëdhëniet tona tregtare kanë njohur rritje në këto vitet e fundit, por ka ende hapësirë që ne t’i heqim barrierat teknike ndërmjet dy vendeve tona për të siguruar që bizneset e Shqipërisë të ndjenjë veten në Kosovë njësoj sikurse në Shqipëri dhe anasjelltas”, tha Hoti.

Në deklaratën e përbashkët të të dy ministrave u tha se shumë shpejt do të bëhet njohja reciproke e të gjitha certifikatave dhe licencave të lëshuara nga autoritetet përkatëse.

Sipas kësaj deklarate thuhet se progres është bërë në bashkëpunimin tonë edhe tek çështja e licencimit të produkteve farmaceutike.

Krijimi i një zyre të përbashkët doganore dhe funksionimi i kanalit të gjelbër për kalimin e produkteve të freskëta, pritet të jetë marrëveshja e radhës ndërmjet këtyre dy ministrive.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Në muajin mars 2016, eksportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë arritën në 13.1 për qind nga totali prej 10.4 milionë euro me vendet CEFTA-s, ku këto dy vende bëjnë pjesë, kundrejt 11.6 për qind që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2015.

Ndërsa importi ishte 3.7 për qind nga totali prej 63.9 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2015 ky raport ishte 7.1 për qind.

Si Kosova ashtu dhe Shqipëria për shkak të potencialit të ulët ekonomik nuk është se kanë një rol të rëndësishëm në tregjet evropiane apo botërore dhe nuk janë të integruara në shkëmbime tregtare rajonale dhe ndërkombëtare në nivel të duhur.

Tendenca për rregullimin e fushës së tregtisë në mes këtyre dy vendeve daton shumë herët.

Qysh në vitin 2003 Kosova dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen bilaterale të tregtisë së lirë, e cila marrëveshje është pasuar me shumë të tjera deri më sot.

Në shkëmbimet tregtare bilaterale kryesisht dominojnë metalet dhe lëndët bazë.

Në portofolion e eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë dominon hekuri mbeturinë si dhe sasi të limituara të gypave të çeliktë, ndërsa hekuri është po ashtu materiali dominues në importet e Kosovës nga Shqipëria, mirëpo në këtë rast hekuri është i destinuar për sektorin e ndërtimit.

Importi i Shqipërisë nga Kosova zë afërsisht 1 për qind të importit të saj total, ndërsa eksporti zë afërsisht 8 për qind të totalit.

Tregtia në mes të dy vendeve është e përqendruar në shkëmbim të mallrave me një vlerë jashtëzakonisht të ulët.

Eksportet e Kosovës Shënojnë Rritje të Zbehtë për 2015