Eksportet e Kosovës Shënojnë Rritje të Zbehtë për 2015

Ndonëse qeveria dhe institucionet ndërkombëtare, përfshi FMN-në, kanë përmendur zhvillimin e eksporteve të Kosovës si një nga lajmet e mira të vitit 2015, rritja mund të mos jetë tepër relevante.

Të dhënat për tregtinë e jashtme tregojnë se ndërsa eksportet e Kosovës u rritën, deficiti i lartë tregtar i vendit pothuajse nuk u prek fare.

Këto të dhëna kryesisht bazohen nga të dhënat e Shërbimit Doganor të Kosovës dhe të dhënat administrative për import dhe eksport të rrymës elektrike.

Kolapsi i sektorit privat pas luftës, procesi i privatizimit, performanca e kompanive, korniza ligjore etj., janë analizuar si shkaqet e gjendjes pavolitshme për eksport, e cila është njëherësh pengesë në zhvillimin e tregtisë së jashtme.

Edhe në vitin 2015 Kosova vazhdon të ketë deficit të lartë tregtar. Këtë vit, deficiti arriti në 2 miliardë e 240.5 milionë euro.

Totali i eksporteve ishte 325.3 milionë euro, ndërsa importi 2 miliardë e 565.8 milionë euro.

Raporti i mbulimit të importeve nga eksportet, gjatë vitit 2014 qëndroi në 12.91 për qind dhe 13.24 për qind në vitin 2015, me një diferencë pozitive prej 0.33 për qind.

Duke krahasuar të dhënat e eksportit për vitin 2015 me ato të vitit 2014, eksportet e mallrave kanë shënuar një rritje vjetore 0.23 për qind.

Eksportet kosovare për produktet industriale jo-ushqimore vazhdojnë të kenë peshën më të lartë të eksporteve, duke përberë mbi 80 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Minerale dhe ushqime

Sipas të dhënave, metalet bazë dhe artikujt e tyre edhe për vitin 2015 vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe për eksport me mbi 45 për qind.

Ndërsa, produktet bimore, ushqimet e përgatitura dhe pijet janë kategoria kryesore produkteve ushqimore të eksportuara.

Vlera e tyre ka tendencë rritjeje dhe kjo rritje premton një trend pozitiv, kështu nga krahasimi i treguesve real të tregtisë, rezulton se ky sektor ka pasur rritje të vlerës së eksporteve, krahasuar me vitin 2014.

Sa i përket importeve në vitin 2015 kanë shënuar një rritje vjetore prej 1.08 për qind duke e krahasuar nga viti paraprak.

Grupi i produkteve industriale jo-ushqimore ka një pjesëmarrje për 75 për qind në importet e përgjithshme, e cila ka shënuar rritje ndaj vitit të kaluar.

Vajrat e naftës, auto-veturat dhe mjetet e tjera të transportit, shufrat dhe shufrat e hekurit dhe çelikut, çimento dhe medikamentet janë produkte të veçanta të importuara në Kosovë.

Mallrat e importuara të përfshirë në grupin e produkteve ushqimore është 25 për qind ndaj totalit të importeve në Kosovë.

Produktet më të importuara në kategorinë e produkteve bujqësore ushqimore e përbëjnë cigaret, ujërat (ujërat minerale dhe ujërat e gazuar), mishi dhe të brendshmet e ngrënshme, biskotat, sheqeri, etj.

Partnerët tregtarë

Kosova importon nga mbi 130 vende të botës, ndërkaq produktet e prodhuara në Kosovë, kanë arritur në tregjet e mbi 60 vendeve të botës.

Tregtia me vendet e BE-së dhe vendeve të rajonit pjesëmarrëse në CEFTA, përbën pjesën më të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Kosovës, me rreth 71 për qind të gjithë tregtisë së jashtme.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës për vitin 2015, CEFTA vazhdojnë të jetë partnere kryesore tregtare me mbi 35 për qind për eksport dhe import 24.5 për qind, të pasuara nga vendet e BE-së me një pjesëmarrje prej 20 për qind për eksport dhe 43 për qind për import.

Për sa i përket eksporteve të Kosovës me vendet ballkanike, Shqipëria merr pjesë me 13 për qind, pasuar nga Serbia me 10.5 për qind, Maqedonia me 9 për qind, Mali i Zi më pak se 2 për qind në raport me totalin për vitin 2015.

Ndërsa pjesëmarrjen më të madhe të importeve në Kosovë nga këto vende vazhdon ta ketë Serbia me 12.5 për qind e ndjekur nga Maqedonia me 5 dhe Shqipëria me 3.5 për qind.

Kosova vs Shqipëria

Si Kosova ashtu dhe Shqipëria, për shkak të potencialit të ulët ekonomik, nuk është se kanë një rol të rëndësishëm në tregjet evropiane apo botërore dhe nuk janë të integruara në shkëmbime tregtare rajonale dhe ndërkombëtare në nivel të duhur.

Tendenca për rregullimin e fushës së tregtisë në mes këtyre dy vendeve daton shumë herët.

Qysh në vitin 2003 Kosova dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen bilaterale të tregtisë së lirë, e cila marrëveshje është pasuar me shumë të tjera deri më sot.

Në shkëmbimet tregtare bilaterale, kryesisht dominojnë metalet dhe lëndët bazë.

Në portfolion e eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë dominon hekuri mbeturinë si dhe sasi të limituara të gypave të çeliktë, ndërsa hekuri është po ashtu materiali dominues në importet e Kosovës nga Shqipëria, mirëpo në këtë rast hekuri është i destinuar për sektorin e ndërtimit.

Importi i Shqipërisë nga Kosova zë afërsisht 1 për qind të importit të saj total, ndërsa eksporti zë afërsisht 8 për qind të totalit.

Tregtia në mes të dy vendeve është e përqendruar në shkëmbim të mallrave me një vlerë jashtëzakonisht të ulët.

Ky fakt vërteton kapacitetin e ulët ekonomik dhe zhvillimor të të dy vendeve si dhe na bën të kuptojmë ofertën e dobët të tyre, e cila është e fokusuar në shkëmbim të materialeve bazike dhe të papërpunuara, ku vërehet dukshëm mungesa e theksuar e produkteve finale.

Kosova dhe Shqipëria kanë një kulturë konsumuese të bazuar dhe të ndikuar nga vende e tyre fqinje.

Historikisht, Kosova në marrëdhëniet tregtare është e lidhur me Serbinë dhe Maqedoninë, përderisa Shqipëria historikisht shquhet me Italinë dhe Greqinë, gjë që ka ndikuar edhe në kërkesën në treg për produktet e ndërsjella të këtyre dy vendeve.