Shqetësime për trajtimin e të burgosurve në Komisionin për Legjislacion

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit.

Deputetët e këtij komisioni diskutuan gjendjen e të burgosurve në burgjet e Kosovës gjatë diskutimit lidhur me Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve.

Komisioni ka miratuar në parim këtë projektligj ndërsa anëtari i Komisionit, Sami Kurteshi (LVV),  tha se duhet të punohet në ligjin në fjalë.

“Te të burgosurit shihet vetëm pjesa e sanksioneve. I kqyrim pak me sy negativ. Këtu dështon shumica e ligjeve për shkak të trajtimit që u bëhen njerëzve nëpër burgje. Ka munguar një përpjekje shtesë e shoqërisë sonë për t’i socializuar ata njerëz”, tha ai.

Kurse, deputeti Frashër Krasniqi (PSD), tha se të burgosurit jetojnë në kushte të vështira.

“Besoj qe i kish bo shëndet secilit deputet me shku pak në burgje me i pa qysh janë burgjet. Ligji është vendim pozitiv, por i kam edhe disa vërejtje për të. Menyja ditore në burgje dhe shëndetësia janë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Është mirë të takohemi edhe me vetë të burgosurit dhe tua marrim vërejtjet për këtë ligj”, rekomandoi anëtari i Komisionit.

Gjatë prezantimit të raportit të punës së Komisionit për vitin 2018, kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, tha se kanë mbajtur 38 takime dhe se kanë pasur projektligje në trajtim si asnjëherë më parë.

“Megjithatë, duhet tua them një vetë kritikë, kemi pas ngecje në monitorim të ligjeve që janë në fuqi. Situata duhet të ndryshojë në vitin 2019”, theksoi Haxhiu.

Ndërkaq, Komisioni miratoi shqyrtimin dhe miratimin e planit të punës së Komisionit për vitin 2019.

Kryetarja e Komisonit shtoi se për këtë vit janë paraparë projektligje në procedurë legjislative, vizita në terren dhe dëgjime publike, ndërsa shtoi se kanë marrë edhe një rekomandim nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të bëhet plan i punës nëpër komisione parlamentare.

Anëtari i Komisionit, Korab Sejdiu tha se agjenda e komisionit për vitin 2019 është ambicioze.

“Megjithatë, gjasat janë qe shumë ligje kanë me qenë ngarkesë. Për zbatimin e ligjeve, duhet me synu që mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve të bëhet në tërë sektorin që është në kuadër të veprimtarisë sonë. Të gjitha institucionet të na raportojnë për zbatimin e ligjit”, u shpreh deputeti.

Komisioni për Legjislacion, formoi grupi punues për shqyrtimin e Strategjisë Shtetërore Kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Planit të Veprimit. Grupin punues do ta udhëheqin deputetët Albulena Haxhiu, Hajdar Beqa dhe Korab Sejdiu.

Anëtarët e Komisionit e kanë miratuar procedimin në seancë të Kuvendit edhe  shqyrtimin e raporteve të Komisioneve Kryesore për Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili ka të bëjë me gjykimin në mungesë, si nismë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndër të tjerash, Komisioni ka diskutuar edhe për ankesën për anulimin e konkursit të Shërbimit Korrektues të Kosovës për pranimin e 120 rekrutëve nga Ministria e Drejtësisë.

Kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu tha se ankesa ka ardhur në këtë komisionin dhe nuk është dosido.

“ Ka ardh një ankesë, kjo ka qenë edhe nëpër media. Nuk është një ankesë dosido dhe duhet ta trajtojmë në veçanti”, tha Haxhiu duke shtuar se do ta përgatisin një draft përgjigje në mënyrë që t’i dërgohet ankuesve.

Deputetë të pozitës dhe opozitës për këtë çështje u pajtuan që atyre që janë ankuar për konkursin në fjalë t’iu rekomanden disa institucione se ku duhet të drejtohen në vazhdim.

Anëtarë e këtij komisioni e shqyrtuan shkresën e Sindikatës së Pavarur të Judikaturës së Kosovës.

Kryetarja e Komisionit bëri të ditur se me rastin e grevave të paralajmëruara nga Administrata e Prokurorisë Speciale, do të duhej të merrej Ministria e Drejtësisë.

“Miratimi i Projektligjit për Pagat  ka krijuar pakënaqësi tek ata. Për administratën e sistemit të drejtësisë, nuk është miratuar amandamenti në seancë të Kuvendit. Kur hyn ligji në fuqi shohim dhe i adresojmë kërkesat e tyre. Ligji hyn në fuqi 9 muaj pas publikimit në gazetën zyrtare”, tha Haxhiu.