Foto: ZKM

Kurti takohet me Vasfije Krasniqi-Goodman, flasin për dokumentimin e krimeve të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me Vasfije Krasniqi-Goodman, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës dhe zërin e fuqishëm në avokimin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas një komunikate për media, Krasniqi- Goodman ndau pikëpamjet e saj lidhur me punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë takimit, Zyra e Kryeministrit njofton se u diskutua edhe fillimi i punës në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë përmes Institutit të themeluar rishtazi.

Kurti ka falënderuar ish-deputeten për rolin e saj, angazhimin e pareshtur, kurajën e pashoq për avokimin e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Qeveria e Kosovës para disa ditësh ka emëruar Atdhe Hetemin, Drejtor Ekzekutiv të Institutit për Krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kurse, Kuvendi i Kosovës në korrik të këtij viti miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës së Kosovës.

Ky projektligj i përbërë prej gjithsej katërmbëdhjetë neneve është përpiluar me qëllim të themelimit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë i cili do të jetë risi për shtetin.

Duke pasur parasysh se gjeneza e problemit të një situate të tillë mund të jenë ngecjet në fazën e hetimeve, projektligji në fjalë ka potencial që të japë një shtysë shumë të madhe ndaj hetimit të suksesshëm të krimeve të kryera gjatë luftës.

Dokumentimin e krimeve të luftës ky institut do ta bëjë nga aspekti historik, ushtarak, ekonomik, juridik, ekologjik, kulturor, mjeko–ligjor dhe sociologjik dhe do të krijojë fondin arkivor si dhe përgatitjen e të dhënave statistikore.

Lidhur me këtë do të bëjë grumbullimin e të dhënave të sakta për humbjen e njerëzve, dëmet fizike, emocionale si dhe pronësore e kulturore.

Të dhënat e mbledhura nga ky institut do të jenë të qasshme për publikun, viktimat si dhe palët e interesuara.

Lidhur me të dhëna, instituti është i bazuar në parimin e konfidencialitetit, sipas të cilit identiteti dhe të dhënat personale të palëve ruhen dhe përpunohen në mënyrë që të garantojnë siguri.

Për më tepër, instituti do të identifikojë viktimat e krimit, përgjegjësit e krimit si dhe kohën, vendin dhe rrethanat në të cilat janë kryer krimet.

Instituti përmes fushatave hulumtuese në teren do të mbledhë audio, fotografi, video incizime si dhe do të intervistojë dëshmitarëve me qëllim të mbledhjes së dëshmive.

Drejtori ekzekutiv ka për detyrë që të propozojë planin dhe raportin vjetor të performancës së Institutit, menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e buxhetit si dhe lidhjen e kontratave në emër të institutit.

Vlen të theksohet se ky institut me kryerjen e veprimtarisë së vet, do të bazohet në gjashtë parime të sistemit të drejtësisë.

Këto janë parimi i ligjshmërisë, i pavarësisë dhe paanshmërisë, i transparencës, i mbrojtjes së të dhënave, parimi i mosdiskriminimit si dhe parimi i konfidencialitetit.

Emërohet Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime të kryera gjatë luftës në Kosovë

Çfarë parasheh projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës?