Shkarkohet drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës

 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shkarkuar drejtorin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha.

Vendimi për shkarkimin e Rexhës nga posti i drejtorit të IAK-së është bërë nga Komisioni disiplinor i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me kërkesë të ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku, zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i kësaj ministrie kishte formuar më 1 gusht 2023 një Komision disiplinor për drejtorin Rexha. Vendimi për shkarkimin e Rexhës nga ky komision është marrë dje, më 26.09.2023.

Sipas këtij vendimi Komisioni disiplinor pas shqyrtimit të provave lidhur me inicimin e procedurës së disiplinore ka nxjerrë vendimin për masën disiplinore – Largim nga Shërbimi Civil për drejtorin Rexha.

“Pas shqyrtimit të provave lidhur me inicimin e procedurës disiplinore, Komisioni nxjerrë vendimin: 1. Enver Rexha- drejtor i IAK-së, i shqiptohet masa disiplinore – Largim nga Shërbimi Civil; Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i MKRS për zbatimin e këtij vendimi; 3. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”- thuhet në vendimin e komisionit disiplinor për shkarkimin e Rexhës.

Vendimi për shkarkimin e Rexhës nga posti i drejtorit të IAK-së, Komisioni disiplinor thotë se e mori pas shqyrtimit të 9 pretendimeve të renditura në kërkesën e ministrit Çekut, për inicimin e masës disiplinore ndaj tij.

Dështimi i zbatimit të politikave për mbrojtje të trashëgimisë arkeologjike, angazhimi i arkeologëve në projektet të IAK-së jashtëligjshëm, mungesën e botimeve nga fusha e arkeologjisë e për gjendjen e krijuar në Kalanë e Novobërdës, janë disa prej akuzave të renditura në kërkesën e ministrit Çeku për themelimin e Komisionit disiplinor për Enver Rexhën, të cilat edhe janë aprovuar nga Komisioni disiplinor.

Enver Rexha ka 15 afat për të kundërshtuar vendimin e Komisionit disiplinor në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në MKRS.

Drejtori i Institutit Arkeologjik merret në ‘pyetje’ nga një komision disiplinor i MKRS-së