Shpend Ahmeti Deklarohet për Shtëpinë e Vjetër të Shembur në Prishtinë

Pas shembjes së shtëpisë në rrugën “Ilaz Agushi” në Prishtinë, për të parë nga afër gjendjen ka dal kryetari i Komunës Shpend Ahmeti.

Ai tha se në bazë të informatave ky objekt ka qenë ish-konsullata austriake dhe se është objekt i mbrojtur.

Sipas tij, objekti është në kontekst gjyqësor në mes të dy pronarëve, prandaj edhe ka mbetur në këtë gjendje.

“Tashmë jemi dakorduar po e presim Institutin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që të na e sjellë pëlqimin, sepse ne nuk kemi të drejtë ta rrënojmë pa pëlqimin e tyre. Sipas të gjitha gjasave do të na e sjellin shumë shpejt vendimin për demolim të kontrolluar që do të thotë që do ta rrënojmë një pjesë por minimumin e kërkuar dhe pastaj ne si komunë kemi kërkuar nga Instituti që ta marrim ne në menaxhim këtë edhe pse është pronë private pasi që ekziston mundësia që kur pronari nuk kujdeset ta marrim ne si komunë dhe ta rinovojmë dhe ta kthejmë një hapësirë publike”, tha kryetari Ahmeti.

Kryetari tha se janë me fat që nuk ka pasur ndonjë dëm më të madh dhe është mesazh edhe për Institutin, por edhe për komunën që  të punohet më shpejt në mbrojtjen e këtyre shtëpive të vjetra.

Pjesa e rrugës ku është shembur shtëpia do të mbetet e mbyllur derisa ta marrin pëlqimin dhe bashkë me Inspeksionin të fillohet demolimi i kontrolluar.

KALLXO.com raportoi më herët se një shtëpi që gjendet në listën e objekteve të mbrojtura është rrënuar sot në Prizren.

http://kallxo.com/rrenohet-shtepia-e-shekullit-xix-monument-mbrojtur-ligj/