Shoqata e peshkatarëve në Mitrovicë kërkon ta bëjë pastrimin e liqenit në Suhodoll

Shoqata e peshkatarëve të Mitrovicës  ka kërkuar nga Komuna  të bëjë pastrimin e liqenit akumulues në Suhodoll.

Sipas tyre në liqenin e Suhodollit ka një numër të madh të peshqve të disa llojeve, prandaj kjo është një pasuri e madhe që me shumë vështirësi mund të krijohet.

Fuat Lushta, kryetari i shoqatës në një takim me kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri ka thënë se duhet pasur kujdes të jashtëzakonshëm gjatë pastrimit të liqenit me qëllim që të mos dëmtohen peshqit, e kjo do të thotë se në liqen nuk bënë të hyhet me asnjë mekanizmi, sepse dëmtimi i peshqve do të ishte i pa evitueshme.

“Ne jemi të gatshëm që këtë liqen ta pastrojmë me sukses, me metodat tona dhe pa e dëmtuar pasurinë e madhe të liqenit, pra peshqit. Mirëpo për këtë na duhet ndihma e komunës, e cila do të na siguronte kamionët për mbeturina, disa litar dhe pajisje tjera të domosdoshme, por që nuk janë të kushtueshme”, është shprehur Lushta.

Ndërsa kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka thënë se ai dhe Komuna janë të obliguar të pastrojnë liqenin sepse gjendja e tillë është e pa tolerueshme, por që shqetësimi ishte mjaftë i madh për faktin se duhej ruajtur fondi i peshqve që është një pasuri e madhe.

“Unë mirëpres angazhimin tuaj për ta kryer këtë punë ashtu siç është më së miri dhe ju falënderoi për interesimin. Ju duhet të bëni planin për pastrim sa më shpejtë ndërsa që komuna do të siguroj të gjitha pajisjet dhe mjetet që ju i kërkoni”, tha kryetari Bahtiri.