Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Shkollat ku shitet droga sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka mbajtur mbledhjen e katërt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Mbledhja u kryesua nga nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli dhe të pranishëm ishin përfaqësues të Policisë së Kosovës, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Januz Salihaj, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Habib Qorraj, dhe përfaqësues lagjesh.

Shkelzen Xhafa, komandant në stacionin Qendra tha se numri i aksidenteve në Komunën e Prishtinës ka rënë, por  shqetësuese mbeten vjedhjet e rënda.

“Nga 1 janar deri tash ka pasur rënie të aksidenteve, shqetësuese janë vjedhjet e rënda dhe ne kemi një plan operativ ku policët, të cilët punojnë me rroba civile dhe vetura civile po ndikojnë shumë në parandalimin e kësaj dukurie”, tha Xhafa.

Gjithashtu Policia e Kosovës nga të gjitha rajonet shprehën shqetësimin se vazhdimisht kanë ankesa nga qytetarët për lokalet që e kalojnë orarin e punës, zënien e trotuareve me makina afër lokaleve që e vështirësojnë kalimin e qytetarëve e për këtë gjë kritikoi inspektoratin e Komunës së Prishtinës.

Januz Salihaj, drejtori i Arsimi në Komunën e Prishtinës tregoi për gjendjen e arsimit në Komunë dhe vonesën e fillimit të vitit shkollor në dy shkolla të Prishtinës.

“I kemi 75 institucione me mbi 45 mijë fëmijë, dy shkolla kanë filluar me vonesë , shkolla Elena Gjika dhe Pavarësia. Për vonesën e fillimit të vitit shkollor në shkollën Elena Gjika faji është i Ministrisë së Kulturës, për shkak se ai objekt është objekt i trashëgimisë kulturore dhe Ministria me procedurat e veta e ka vonuar fillimin e vitit shkollor, ndërsa për shkollën Pavarësia faji është i Komunës për shkak se nuk kemi mundur të sigurojmë mjetet për intervenim në kohën e duhur”, tregoi Salihaj.

Po ashtu ai tha se është shqetësuese përdorimi i narkotikëve brenda hapësirave shkollore.

“Problemi i narkotikëve mbetet problem për institucionet arsimore për shkak se shumë njerëz kalojnë nëpër oborre pa pasur leje duke ju shitur nxënësve dhe kjo ndodhë më së shumti në shkollat ku shkojnë fëmijët me standard të lartë siç janë Elena Gjika, Sami Frashëri, Ismail Qemaili, Dardania e disa shkolla të tjera”, tha Salihaj.

Gjithashtu, problem nga të pranishmit u paraqitën edhe dëmet nga erërat e fuqishme, të cilat shkaktuan dëme të hënën e kësaj jave.

Drejtori i shërbimeve publike, Habib Qorraj tha se do t’i rregullojnë ato dëme dhe se tashmë kanë krijuar ekipe shtesë që të punojnë më gjatë për riparim, kurse më vonë do t’i mbledhin të dhënat për dëmet e shkaktuara.