Shkeljet Ligjore e Kushtetuese në Privatizimin e KEDS dhe TC 'Kosova e Re'

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit GAP në lidhje me ankesën e kësaj të fundit ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila nuk i kishte ofruar qasje në dokumentet publike që lidhen me procesin e privatizimit të KEDS-it dhe Ofertimit të Projektit “Kosova e Re”.

Më 3 qershor 2013, Instituti GAP në emër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka parashtruar padi kundër MZHE për mos lejim të qasjen në dokumente publike. Organizatat anëtare të KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kanë parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit. Të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZHE me arsyetimin se ato dokumente janë drafte dhe janë dokumente te klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje.

Gjykata ka konstatuar se edhe dokumentet e pa përfunduara janë dokumente publike në të cilat duhet të lejohet qasja, si dhe ka konsideruar si të paarsyetuar përgjigjen e MZHE se dokumentet e privatizimit të pasurisë publike hyjnë në kategorinë e dokumenteve konfidenciale. Përveç kësaj, Gjykata konstaton se edhe KEK ka bërë shkelje të Ligjit për qasje në dokumente publike kur nuk ka pranuar që të përgjigjet në kërkesat për transparencë me arsyetimin se Ligji për qasje në dokumente publike nuk aplikohet edhe për ndërmarrjet publike.

“Lidhur më çështjen nëse dokumenti i kërkuar përbën një dokument publik, Gjykata gjen se sipas Ligjit mbi Qasjen në Dokumentet Publike, dokument publik konsiderohet çdo dokument zyrtare”, duke përfshirë por duke gjitha informatat e regjistruara në çfarëdo forme, të hartuara apo pranuara të dhe mbajtura nga institucionet publike”, thuhet në aktgjykim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërsa sa i përket vendimit të institucionet përkatës që t’i lejohet kërkuesit vetëm të shohë dokumentet, në aktgjykim thuhet se kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë nëse do të marrë ndonjë kopje apo do ta shikojë origjinalin e dokumentit të kërkuar.

“Pala e paditur po ashtu vetëm ka ofruar në shikim dokumentin e kërkuar palës paditëse por Gjykata rikujton se sipas nenit 11 paragrafi 1 të ligjit për Qasje në Dokumente publike, “kur të lejohet qasja në dokument, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhje nëse do të kontrollojë origjinalin apo kopjen, ose për të pranuar një kopje të dokumentit në çfarëdo forme apo formati në dispozicion sipas zgjedhjes së tij”. Gjykata gjen se pala e paditur ka refuzuar të ofroj dokumentin në formën e kërkuar duke pretenduar se disa shtojca të dokumentit të kërkuar janë ende në formë të draftit dhe nuk janë të finalizuar.

Në lidhje me arsyetimin e palës së paditur se dokumentet ende nuk janë të finalizuara por vetëm si draft, gjykata prapë i jep të drejtë paditësit, në këtë rast Institutit GAP.

“Gjykata ka vlerësuar edhe pretendimet e organit të paditur i cili ka konsideruar se të dhënat e kërkuara janë akoma në formë të draftit dhe nuk janë të finalizuara. Të njëjtin pretendim Gjykata e vlerëson si të pabazuar, kjo për faktin se dokumentet e tilla të institucioneve publike duhet të jenë të hapura për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nga ky aspekt, ata kanë drejtpërsëdrejti interes të arsyeshëm të informohen lidhur me këtë përmbajtje”, thuhet në përfundim të arsyetimit të këtij aktgjykimi.

Ky Aktgjykim, i cili ka ardhur katër vite e gjysmë pas parashtrimit të padisë, ndërsa GAP e cilëson si të vonuar për shkak se tashmë ka përfunduar procesi i privatizimit të KEDS-it.

“Është i vonuar, duke marrë parasysh se gjatë kësaj periudhe është përmbyllur procesi i privatizimit të aseteve të KEDS dhe lista e aseteve është bërë publike pas privatizimit”, thuhet në komunikatën e GAP-it.

Sa i përket qasjes në dokumentet tenderuese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, KOSID vlerëson se aktgjykimi është i vonuar për faktin se Qeveria e Kosovës tashmë ka nënshkruar marrëveshjen komerciale për Termocentralin ‘Kosova e Re”. Një dit pas nënshkrimit të marrëveshjes komerciale, organizatat e KOSID kanë dërguar kërkesë në MZHE për qasje në kontratën e nënshkruar, por deri më tani kjo nuk është lejuar me arsyetimin se kontrata e nënshkruar nuk është finalizuar. Duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duhet të lejohet qasja edhe në dokumentet jofinale, andaj KOSID i bën thirrje edhe një herë MZHE-së që të lejoj qasje në kontratën e nënshkruar për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Aktgjykimi detyron Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që brenda 30 ditëve të lejoj qasje në asetet e privatizuara të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.