Pallati i Drejtësisë, Prishtinë. Foto: BIRN.

Dosja e Prokurorisë: Liridona Ademaj dyshohet se u qëllua me plumb në qafë nga afërsia

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në arsyetimin për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka thënë se Liridona Ademaj dyshohet se është qëlluar me plumb në qafë nga afërsia, nga i dyshuari G.P.

Sipas Prokurorisë, Naim Murseli e kishte inskenuar tërë ngjarjen.

“..e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes” – thuhet në arsyetim.

Për këto veprime i dyshuari Naim Murseli paraprakisht i kishte premtuar të dyshuarit tjetër G.P. shumën e të hollave prej 30 mijë eurove.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Liridona Ademaj-Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Vëllau i Liridona Ademajt, Leonardi, ka folur para gazetarëve pas përfundimit të seancës ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Leonard Ademaj tha se familja e tij beson në drejtësinë e Kosovës dhe se këtë çështje e kanë lënë në duar të drejtësisë.

“Ne gjithçka çka kemi, ia lojmë drejtësisë, besojmë në drejtësi të Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt, sepse ka ardhur edhe shoqata sociale, thanë që fëmija janë mirë. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi. Janë ardhë na kanë pyetur se qysh po mendoni për fëmijët, por te ne gjendja është katastrofale, janë shumë të mërzitur. Fëmijët ende nuk e kanë kuptuar që nëna ka vdekur, edhe me ardhë te ne e kanë të lehtë me e kuptu se çka është duke ndodhur” – tha ai para gazetarëve.

Vëllau i Liridona Ademajt: Besojmë në drejtësi të Kosovës