Shkatërrohen Afro 30 Mijë Fidanë të Sëmurë Mjedre

Inspektorati fitosanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar sot në Podujevë 29,600 copë fidanë mjedre të infektuar me sëmundjen e kancerit të rrënjës.

Këta fidanë janë importuar nga Serbia dhe ishin të destinuar të shiten në Kosovë.

Sipas AUV-së, ngarkesa me fidanë të mjedrës fillimisht i është nënshtruar kontrollit të rregullt fitosanitar në pikëkalimin kufitar dhe gjatë inspektimit është dyshuar për gjendjen shëndetësore të tyre.

“Menjëherë është bllombuar ngarkesa për të kaluar në kontroll të detajuar të inspektorëve fitosanitarë të brendshëm të AUV-së”, njofton Agjencia.

“Gjatë kontrollit janë vërejtur shenja klinike atipike për fidanë të shëndoshë, me ç’rast janë marrë mostrat për analiza. Në të njëjtën kohë biznesit i është dhënë urdhër se fidanët nuk mund t’i nxjerrë në treg deri në nxjerrjen e rezultateve nga laboratori. Analizat laboratorike kanë rezultuar pozitiv në sëmundjen Agrobacterium tumefaciens (kanceri i rrënjës)”, njofton Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV njofton se në secilin rast kur ka prezencë të sëmundjeve karantine tek bimët, inspektori nxjerr vendim për asgjësim të tyre, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe dëmtimin e fermerëve.

E njëjta ka ndodhur edhe me fidanët e sëmurë të mjedrave.