Shfaqja 'Hipokritët ose pacienti anglez' jepet premierë sot në teatrin ‘Oda’

Shfaqja “Hipokritët ose pacienti anglez” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të  Blerat Nezirajt dhe Agon Myftarit, do të jepet premierë sot, 19 tetor 2018,  në mbrëmje nga ora 20:00, në teatrin ‘Oda’ në Prishtinë.

Komedia “Hipokritët ose pacienti anglez” merret me sistemin shëndetësor i cili, i zënë në kurthin e kapitalizmit e të politikave neoliberale, është shndërruar në njërën prej gangrenave kryesore të shoqërive bashkëkohore në Ballkan, dhe jo vetëm.

Shfaqja “Hipokritët ose pacienti anglez”  është prodhim i Qendrës Multimedia në Prishtinë dhe me këtë shfaqje hapet edhe zyrtarisht edicioni i parë të ‘showcase’-it, që njëkohësisht është edhe i pari i organizuar ndonjëherë në Kosovë.

Në edicionin e parë të ‘showcase’ do të shfaqen katër shfaqjet e fundit të prodhuara nga Qendra Multimedia, duke përfshi edhe shfaqjen “Le Pont”, e cila është realizuar në Paris, dhe që do të hapë festivalin teatror që organizohet nga teatri “Adriana Abdullahu” në Ferizaj.

Përveç shfaqjeve në kuadër të ‘showcase’ është paraparë të mbahen edhe dy panele diskutimi dhe një mbrëmje letrare e muzikore.

Programi i ‘showcase’-it të parë realizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin ‘Oda’ dhe Teatrin ‘Dodona’ në Prishtinë, si dhe teatrin ‘Adriana Abdullahu’ në Ferizaj.