Nesër nisin shfaqjet teatrale të ‘Kosovo Theatre Showcase’

Mbi 60 aktorë, regjisorë, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit nga më se 20 vende të ndryshme nga Evropa, SHBA e Azia do të marrin pjesë në edicionin e sivjetmë të “Kosovo Theatre Showcase” që nis nesër, 25 tetor, në Prishtinë.

Edicioni i sivjetmë do të hapet me shfaqjen “Babai dhe babai” me regji të Kushtrim Koliqit, që jepet nesër mbrëma (25.10.2022) në ora 20:00 në Muzeun Etnologjik në Prishtinë.

Qendra Multimedia, organizatore e këtij show teatror, njofton se këtë edicion do të jepen 11 shfaqje teatrore të prodhuara nga teatrot publike e të pavarura të Kosovës, ndër to edhe dy shfaqje mysafire nga Serbia e Bosnja dhe Hercegovina.

“’Kosovo Theatre Showcas’ është ngjarje vjetore e teatrit e cila çdo vit mbledh në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës programues festivalesh, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit. Para publikut shfaqen rreth 10 shfaqje e performanca teatrore nga Kosova, dhe rreth 5 të tjera nga rajoni dhe Evropa- në një program përcjellës të ‘shfaqjeve mysafire” – thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Në kuadër të programit të sivjetmë do të organizohen edhe panele, lexime e ngjarje të tjera rrjetëzuese.

Kuruar nga Qendra Multimedia e organizuar në bashkëpunim me teatro e asociacione të tjera teatrore, “Kosovo Theatre Showcase” synon që për çdo vit të sjellë disa nga krijimet më mbresëlënëse dhe të arrira të teatrit në Kosovë.

Edicioni i sivjetmë i “Kosovo Theatre Showcase” do të zgjas deri më 29 tetor 2022.

Këtu gjeni të plotë programin e “Kosovo Theatre Showcase” për 2022.