Oda e Mjekëve të Kosovës Foto: Facebook

Oda e Mjekëve reagon ndaj ShSKUK-së: Analfabetizëm funksional dhe mjerim menaxherial

Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka reaguar ndaj Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në lidhje me rastin e logopedit i cili u arrestua nga Policia e Kosovës nën dyshimet se përdori gjuhë ofenduese ndaj një vajze tre vjeçare.

OMK ka kundërshtuar sot deklaratën e mbrëmshme të ShSKUK-së, duke thënë se ajo ka tentuar të shfajësohet dhe ta shmangë përgjegjësinë në barrë të Odave të Profesionistëve Shëndetësor, për të mbuluar paaftësinë e tyre të menaxhimit.

OMK ka thënë që nuk ka asnjë përgjegjësi për mbikëqyrjen e personelit menaxherial, apo për t’i njoftuar institucionet shëndetësore kur personelit i skadon validiteti i licencës.

Prandaj, deklaratën e ShSKUK-së, Oda e Mjekëve e ka quajtur analfabetizëm funksional dhe mjerim menaxherial.

“Odat e Profesionistëve Shëndetësor, përfshirë këtu edhe Odën e Mjekëve, mirëmbajnë regjistrat e licencave të profesionistëve shëndetësor sipas kualifikimit të tyre dhe për këtë zbatojnë procedurat administrative për të konstatuar përmbushjen e kushteve profesionale për lëshimin (licencimin dhe rilicencimin) apo revokimin e licencave.” – thuhet në reagim.

Oda e Mjekëve ka konsideruar që Njësia e Burimeve Njerëzore në ShSKUK duhet të jetë në nivel të detyrës deh të evidentojë secilin profesionist shëndetësor lidhur me plotësimin e kushteve profesionale të punësimit.

Ata i kanë sugjeruar menaxhmetit të ShSKUK-së që t’i lexojë Ligjin për Shëndetësinë, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor dhe Ligjin për Profesionet e Rregulluara, për të qartësuar përgjegjësitë.

ShSKUK dje ka përmendur edhe Odën e Mjekëve në reagimin ndaj rastit të logopedit nga Gjilani, i cili po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj një pacienteje të mitur.

“Mungesa e një databaze elektronike për stafin e ShSKUK, e vështirëson përcjelljen në kohë reale të punës, avansimeve dhe mungesave eventuale të stafit. Për këtë arsye, memaxhmenti i ShSKUK, para 2 jave ka filluar procesin e digjitalizimit të të dhënave të stafit të saj” – thuhet në reagimin e mbrëmshëm të ShSKUK-së.

OMK ka thënë se ky nuk është rasti i parë që profesionistë shëndetësorë punojnë pa licenca dhe anëtarësim në odat përkatëse.

“Oda e Mjekëve të Kosovës vazhdimisht ka tentuar të bashkërendojë dhe të mbajë takime me drejtuesit e ShSKUK-së, por ata as nuk e kanë pasur dëshirën e as “kohën” për këto bashkërendime.” -thuhet tutje në reagim.

Gjykata Themelore në Gjilan sot i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë logopedit I.Sh. i dyshuar për veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

1 muaj paraburgim për logopedin nga Gjilani dhe dy të dyshuarve për sulm ndaj tij

www.kallxo.com