Bilall Sherifi - Foto: Facebook
Sherifi: Deputetët e Nismës Nuk i Kanë Tërhequr Nënshkrimet Për Specialen
Shefi i grupit parlamentar të Nismës për Kosovë, Bilall Sherifi ka thënë për KALLXO.com se asnjë nga deputetët e këtij subjekti nuk i ka tërhequr nënshkrimet nga iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, në një intervistë dhënë në Televizionin Dukagjini është shprehur se disa deputetë të Nismës kanë hequr nënshkrimet nga nisma për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale.
Mirëpo këtë e ka mohuar shefi i grupit parlamentar të Nismës për Kosovës në një prononcim për KALLXO.com.
“Nënshkrimet janë individuale. Secili deputet që e ka nënshkruar ka të drejtë edhe me tërheqë. Mirëpo deri tash asnjë deputet nuk më ka thënë se e ka tërheqë nënshkrimin”, tha Sherifi për KALLXO.com.
Sherifi foli edhe për deklaratën e Ilir Dedës.
“Nuk e di që Deda ka mbledhë nënshkrime”, tha tutje Sherfi që sqaroi se tërheqja e nënshkrimeve bëhet me shkrim dhe se deri dje s’ka pasur asnjë tërheqje nga deputetët e Nismës për Kosovën.
Por deputeti Ilir Deda insistoi që ka tërheqje të nënshkrimeve.
“Ka dokumente, unë kam thënë që 8 deputetë janë tërhequr, ka të Nismës, ka të AKR-së edhe prej minoriteteve, por 8 janë tërhequr”, tha deputeti Deda për KALLXO.com.
Nënshkrimin nga nisma për shfuqizim të Ligjit të Speciales e ka tërhequr edhe zyrtarisht deputeti i AKR-së, Islam Pacolli, i cili ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar korrekt se për çka bëhet fjalë.
Edhe deputeti i Nismës Milaim Zeka, njëri nga nënshkruesit, konstatoi se deputetët janë mashtruar kur kanë dhënë nënshkrimet.
http://kallxo.com/milaim-zeka-nenshkrimet-u-mblodhen-hile/
43 deputetë nënshkruan nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, ligj ky që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Por të premten e kaluar Kryesia e Kuvendit dy herë nuk pati kuorum që ta caktojë seancën e jashtëzakonshme për këtë çështje.