Zyrtari i Mbrojtjes së SHBA-së në takim me ministrin dhe komandantin e FSK-së - Foto: KALLXO.com
SHBA Përkrah Procesin e Shndërrimit të FSK-së në Ushtri
Zëvendës-Asistenti i Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara, Michael Carpenter, ka premtuar përkrahjen amerikane në procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri.
Pas takimit me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin dhe komandantin e FSK-së, Rrahman Ramaën, Carpenter tha se SHBA është mbështetës i fortë i sovranitetit, pavarësisë, demokracisë dhe multietnicitetit në Kosovë.
“Ashtu siç ju e dini Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një mbështetës i fortë i sovranitetit, pavarësisë, demokracisë dhe multietnicitetit në Kosovë”, tha ai.
Sa i përket shndërrimit të FSK-së në ushtri, zyrtari i lartë i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara tha se është proces që duhet të realizohet me hapa adekuatë.
“Ky proces sidoqoftë është një proces që duhet të kalojë nëpër procese kushtetuese adekuate dhe ndryshime të legjislacionit dhe ne e përkrahim këtë proces dhe po presim mirëpo kjo duhet të realizohet me hapa adekuatë dhe fatkeqësisht nuk ka rrugë të shkurtra këtu”, theksoi Carpenter.
Me ministrin Demolli dhe komandantin Rama, Carpenter tha se kanë diskutuar se si të thellojnë marrëdhëniet në mes të dy vendeve.
Carpenter gjatë ditës ka qenë pjesë e takimit që ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka pasur me presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin, etj.
Në konferencën për shtyp, as ministri Demolli e as komandanti i FSK-së nuk kanë dhënë deklarata.