Komisioni për Zhvillim Ekonomik | Foto: KALLXO.com

Shaip Muja Kërkon Ndihmë Qeveritare për “Ferronikelin”

Por edhe pse nuk hyri në rend dite çështje e “Ferronikelit” u bë temë diskutimi e mbledhjes së sotme.

Deputeti Shaip Muja erdhi si mysafir në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik për të diskutuar rreth vështirësive me të cilat po përballet kjo komani.

“Kam ardhur sot këtu për të diskutuar çështjen e ‘Ferronikelit’ të cilën e kam ngrit në seancë plenare për ta marrë pak si çështje serioze. Është industri e cila është duke shkuar në mbyllje, njëri problem për ta është megavati i shtrenjtë i energjisë elektrike, problem tjetër me të cilin duhet të merret komisioni është Agjencia Kosovare e Privatizimit e cili nuk u ofron lehtësira për të ndërtuar rrugë alternative për të shfrytëzuar minierën e tyre, duke zhvilluar eksportin e mineraleve,” tha Muja.

Muja po ashtu theksoi se nëse 900 punëtorët dhe 500 subkontraktorët e kësaj kompanie në Drenicë mbesin pa punë, rrezikohen mbi 10 mijë banorë të mbesin pa bukë.

Kryesuesi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Muhamet Mustafa theksoi se komisioni nuk ka kompetenca të ndikojë në uljen e energjisë elektrike. Sipas tij problem i “Ferronikelit” është çmimi i metaleve në bursë.

“Këto janë çështje problematike sepse ne nuk mundemi të ndërhyjmë në uljen e çmimit të energjisë elektrike, ne vetëm mund ta diskutojmë me rregullatorin problemin nëse ata nuk e kanë të qartë. Mendoj se problemi i ‘Ferronikelit’ është te konjuktura në bursën metaleve,” tha Mustafa.

New Co “Ferronikeli” që në kompleksin metalurgjik merret me përpunimin e xehes së nikelit në prill ndërpreu prodhimtarinë.

Anëtari tjetër i komisionit Besim Beqaj theksoi se komisioni mund të shpejtojë anën ligjore të liberalizimit të tregut të energjisë, por deputetët nuk mund të përzihen në çështjet komerciale të kompanive private.

“Ajo të cilën mund ta bëjmë ne është çështja ligjore që sa më parë të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, ku rregullatori mund të blejë energji sipas çmimit të tregut dhe jo detyrimisht nga ana e KEDS-it, ndërsa për çështjet tjera të ‘Ferronikelit’ ne nuk duhet të involvohemi si deputetë në gjana komerciale të tyre,” tha Beqaj.

Por anëtarja tjetër e komisionit Sala Berisha-Shala foli njësoj si deputeti-mysafir Shaip Muja.

“Ne duhet të shikojmë aspektin ligjor-cila është mundësia tjetër në qoftë se largohen në mënyrë masovike nga puna ata punëtorë, sa i kemi të mbrojtura me ligj këto gjana, përndryshe ne duhet të jemi serioz, të merremi me çështjen e ‘Feronikelit’” tha Berisha-Shala.

Anëtari i komisionit Fatmir Rexhepi nuk u pajtua se “Ferronikeli” është problem i Qeverisë, por theksoi puna e këtij kompleksi industrial lidhet çështje menaxhmenti.

“Mos të rrëshqasim në terren ku se kemi vendin, ekskluzivisht çështja e ‘Ferronikelit’ është çështje e menaxhmentit, mos të merremi me popullizëm edhe me çështjen që po përmendet tërthorazi e indirekt, sepse nuk është faji te politikat, te ligji, mos merrni përgjegjësi pa pasë përgjegjësi, mos ta sjellim problemin në Kuvend pa qenë problem i Kuvendit. Ne jemi njerëz profesionalë, nuk duhet ta fusim qeverinë në këtë problem pa pasur nevojë,” tha Rexhepi

Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik u miratuan projektligjet për energjinë, rregullatorin e energjisë dhe gazin natyror të cilat pritet të dërgohen në seancën e Kuvendit për votim.