Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mbështet certifikimin e KOSTT-it

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) është njoftuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, se mbështet vendimin e ZRrE-së për certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (KOSTT).

Opinioni i Sekretariatit është dhënë si përgjigje ndaj vendimit preliminar të Bordit të ZRrE-së, të marrë me 24 shtator 2018 me të cilin Bordi ka vendosur të certifikoj KOSTT-in si Operator të pavarur të Transmetimit të energjisë elektrike.

“Certifikimi i OST-KOSTT është proces përmes të cilit ZRRE-ja konfirmon që ka ndarje të mjaftueshme të kontrollit mbi OST-në në njërën anë dhe prodhimin dhe/apo furnizimin në anën tjetër dhe që ndërmarrja e energjisë është në pajtueshmëri me dispozitat e shthurjes të përcaktuara me kapitujt IV dhe V të Direktivës 2009/72/EC1, kapituj këta të transpozuar në legjislacionin e Kosovës nëpërmjet nenit 11 të Ligjit për Energjinë Elektrike”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

Ky proces është i nevojshëm në mënyrë që të vërtetohet se OST, në një treg të lirë energjetik, përmbushë funksionet e tij në mënyrë të pavarur nga çfarëdo biznesi tjetër në sektorin e energjisë dhe rrjedhimisht ofron qasje të lirë dhe jo-diskriminuese në rrjetin e transmetimit për të gjithë operatorët e tregut në territorin e vendit.

Pas mbështetjes përmes Opinionit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Bordi i ZRrE-së në mbledhjen e tij të ardhshme do të marrë vendimin përfundimtar për certifikimin e KOSTT-it.

“Me këtë proces, ZRrE-ja po përmbush një nga obligimet më sfiduese që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë si dhe po vërteton edhe një herë funksionimin e plotë të KOSTT, në përputhje me direktivat e BE-së për energji, brenda territorit të Republikës së Kosovës”, vazhdon njoftimi.

https://kallxo.com/edhe-disa-hapa-deri-ne-njohjen-nderkombetare-te-kufijve-energjetike/