Fatmir Sejdiu te varri i presidentit Rugova - Foto: Rtv21

Sejdiu: Rugova e Donte një Kosovë me Plot Miq

Në 12 vjetorin e vdekjes së ish-kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vendosi kurorë lulesh dhe bëri homazhe pranë varrit të tij.

Duke e vlerësuar lart punën dhe kontributin e tij, Sejdiu tha se presidenti Rugova përherë do të kujtohet si një ndër liderët jo thjesht politik, por edhe shpirtëror, e që këtë e arriti duke qenë përherë me popullin e tij.

Sejdiu tha se Rugova punonte pandashëm e pandalshëm në arritjen e trinomit Liri, Pavarësi dhe Demokraci, e që për këtë sipas tij, ai punoi deri në frymën e fundit të tij.

Sipas tij, Rugova e donte një Kosovë me plot miq, për çka edhe theksonte faktin se, drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm, dhe se për këtë kemi nevojë të reflektojmë sot më shumë se kurrë më parë. /21Media