Sali Asllanaj Nuk i Lejon dy Gazetarë në Konferencë për Shtyp në Komunë

Kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, u ka ndaluar sot dy gazetarëve lokalë që ta përcjellin konferencën e tij për shtyp, të fundit për këtë vit.

Brahim Thaqi nga portali Theranda Post dhe Uran Haxha nga Koha Ditore u ndaluan që të hyjnë në ndërtesën e komunës. Për ta bërë këtë, Asllanaj kishte udhëzuar zëdhënësin e komunës.

Ai tha për KALLXO.com se gazetarët e Theranda Post janë të padëshirueshëm në zyrën e tij pasi që ky medium lokal, sipas tij, për dy vitet të qeverisjes “nuk e ka pasqyruar drejt punën në komunë.

Për këtë ka pësuar edhe Uran Haxha i cili, sado që aktualisht punon në gazetën “Koha Ditore”, më parë ka qenë pjesë e portalit lokal Theranda Post.

“Unë i kam sugjeruar shefit të zyrës për informim që të mos i lejojë ata që të marrin pjesë, për shkak se ata për dy vjet rresht, asnjë pasqyrim objektiv të komunës nuk e kanë bërë”, tha kryetari i komunës së Suharekës.

Ndërsa gazetari Brahim Thaqi tha për KALLXO.com se veprimi i Asllanajt është skandaloz.

“E drejta jonë është me u informu. Ne sot jemi provuar nga e drejta për informim, kjo e shkel të drejtën universale për të drejtat e njeriut, të drejtën për të marrë informata, të drejtën për të dhënë opinione dhe të drejtën që ta shprehim edhe mendimin tonë. Ne nuk shkuam as me zor. Ata vetë na ftuan edhe vetë na përjashtuan”, tha Thaqi.

Por, ai tha se do të vazhdojë punën në raportime nga komuna.

Gjatë konferencës për shtyp, Asllanaj e konsideroi “të suksesshëm” vitin 2015 për komunën e Suharekës si në rritjen e shërbimeve të administratës për qytetarët, ashtu edhe në ngritjen e të hyrave vetanake.