Gjykimi në rastin "Syri i Popullit" FOTP KALLXO

Sadri Ramabaja rrëfen takimin me agjentët e AKI-së dhe njerëzit e Kadri Veselit

Ish asamblisti i Vetëvendosjes i akuzuar si pjesë e grupit që planifikuan vrasjen e Azem Vllasit, ka rrëfyer para gjykatës takimet me njerëzit e AKI-së.

Në një seancë të tensionuar midis tij dhe prokurorit Sylë Hoxha, Ramabaja ka treguar për takimet  me agjentët e AKI-së të cilët e kishin paralajmëruar për diçka të keqe.

Rrëfimi i tij është pjesë e gjykimit në grupin e të akuzuarve Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha.

I njohur si rasti “Syri i Popullit”, grupi u burgos pas plagosjes së avokatit dhe ish-liderit komunist Azem Vllasi.

Në nisje të rrëfimit të tij Ramabaja është pyetur nga prokurori  Sylë Hoxha për kalimin e kufirit disa herë me dokument të huaj.

Pyetja e prokurorit ka ngjallur reagimin e Rambajës, i cili  ju drejtua prokurorit me fjalët “…të jetë i dinjitetshëm së paku sot dhe të mos rrëfej të pavërteta”.

Në rrëfim Ramabaja deklaroi se kufirin e kaloj vetëm njëherë në vitin 2017 me pasaportën e nipit të tij, sepse i ishte bllokuar pasaporta. Mirëpo, se këtu nuk kemi të bëjmë me falsifikim sipas tij.

Më tutje ai theksoi se ai ka vepruar ashtu për shkak të panikut ngase është paralajmëruar me 4 tetor për mundësi të likuidimit.

“Unë më të marrë ftesën për t`u paraqitur në Prokurorinë Speciale me akuzën, tronditëse për mua, unë kam kërkuar shpjegime nga personalitete të politikës, në mesin e tyre edhe nga vet Kadri Veseli, natyrisht edhe të tjerë por nuk dua të ja përmendi emrin”, tha i akuzuari Ramabaja.

Rrëfimi vazhdoj me tensione në mes prokurorit Hoxha dhe Rambajës, ky i fundit ndër tjera ju drejtua atij se “ke dështuar” ndërsa Hoxha ju drejtua: “Të mbyllësh gojën me këto konstatime të panevojshme”.

Tension pati edhe mes Rambajës e të dëmtuarit Azem Vllasit.

Ramabaja u deklarua se: “Nuk kam pas ndjenja hakmarrëse as ndaj vëllait tënd që në buzë të vdekjes më ka sjellë” .

Më tutje Ramabaja deklaroi se Vllasi ka qenë në hetuesi në burgun e Gjilanit dhe i ka parë se ishin të shkatërruar. Mirëpo, Vllasi e mohoi këtë.

I pyetur se kush e kërcënonte me likuidim?

Ramabaja deklaroi se është paralajmëruar nga një person i cili është thirrë si oficer i AKI, shok me dy studentët e tij të AKI.

Ai madje shtoi se gjatë paralajmërimit është përmendur edhe rasti i Astrit Deharit dhe vëllezërit Kiqina.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionaret e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e poashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

 

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 11 korrik.

https://kallxo.com/ramabaja-deshmon-te-syri-i-popullit-kjo-eshte-hakmarrje-politike/

www.KALLXO.com