Sa Para u Shpenzuan në Lojërat Olimpike?

Rreth 37 persona dhe më shumë se 15 zyrtarë të cilëve u janë paguar mëditjet për të shikuar Lojërat Olimpike sipas Komitetit Olimpik nuk e kanë rënduar buxhetin e caktuar për këtë ngjarje në të cilën Kosova mori pjesë për herë të parë.

Besim Hasani, Kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, konsideron se shteti i Kosovës ka bërë shpenzime minimale për dërgimin e sportistëve, zyrtarëve dhe stafit përcjellës në Lojërat Olimpike të mbajtura në Rio de Janiero gjatë gushtit.

“Tani normalisht me Lojërat Olimpike shpenzimet janë dukshëm më të mëdha. Por në raport qoftë me komitetet olimpike të rajonit ose të vendeve tjera, përsëri ne kemi harxhuar më së paku”, tha Hasani.

Për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ që i kushtua Komitetit Olimpik, Besim Hasani  tregoi në shifra buxhetin dhe mëditjet për zyrtarët që sipas tij janë 40 euro.

Ai gjithashtu theksoi se të gjithë pjesëmarrësit në lojëra kanë shkuar atje me detyra specifike.

“Unë konsideroj që ka shkuar kushdo që është dashur të shkojë dhe atje s’mund të udhëtojë kushdo pa e pasur një cilësim apo detyrë të saktë. 37 vetë kanë qenë njerëz zyrtarë që kanë pasur detyra për të kryer“, tha Hasani.

Sipas Hasanit buxheti i dhënë nga MKRS-ja për Komunitetin Olimpik sivjet ishte 1 milion euro.

Debatin e plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: