Përfaqësues të Klubeve të Federatës së Notit të Kosovës gjatë protestës para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. FOTO: KALLXO.com

Klubet e Federatës së Notit akuza ndaj MKRS-së dhe KOK-ut për 'injorim dhe ndërhyrje politike'

Përfaqësues të Klubeve të Federatës së Notit të Kosovës sot kanë protestuar para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), siç kanë thënë ata “për shkak të injorimit dhe ndërhyrjeve politike në këtë federatë”.

Gjatë protestës ata kanë folur edhe në lidhje me heqjen e licencës së kësaj federate.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës për të marrë një përgjigje lidhur me akuzat dhe pretendimet që janë përmendur gjatë kësaj proteste, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.

Fillimisht gjatë protestës përfaqësuesit e këtyre klubeve tentuan të futen në objektin e MKRS-së, por ata u ndaluan nga Policia.

Përfaqësues të Klubeve të Federatës së Notit të Kosovës gjatë protestës para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. FOTO: KALLXO.com

Mirëpo, kryetari i Federatës së Notit, Astrit Haliti, hyri brenda objektit të MKRS-së dhe kur doli para mediave ai tha se kanë kërkuar nga ministri i Kulturës Hajrulla Çeku që t’i presë në takim, por që kjo gjë është refuzuar me arsyetimin se u duhet ta bëjnë edhe një kërkesë të re.

Ai gjithashtu tha se kanë bërë kërkesën dhe se janë në pritje të konfirmimit.

Astrit Haliti, Kryetari i Federatës së Notit. FOTO: KALLXO.com

“Ne të gjitha dokumentet e mundshme ia kemi dërguar ministrit. Edhe dokumentet e kuvendit, edhe kërkesat e klubeve, janë me nënshkrim të secilit klub. Krejt procedurat ligjore i kemi ndjekur dhe tash ministri po dëshirojka ta bëjmë edhe një kërkesë. Ne mund t’ia bëjmë edhe një kërkesë pasi po donë, ne do t’ia bëjmë edhe një dhe do të shohim deri kur ka afat për të na u përgjigjur” – tha Haliti para mediave.

“Nuk është kërkesë e imja që të dal këtu por është kërkesë e krejt juve për dëmet që ju kanë shkaktuar ministri dhe tash së fundmi komisioni për licencim e që fatkeqësisht të njëjtit komision ja kemi kërkuar një letër  ministrisë nja 20 herë. Do ta paraqesim para mediave një ditë të ardhshme letrën, ka një vit që është lëshuar letra prej zyrtarëve të ministrisë për diçka e cila ndërhyn direkt në Federatën e Notit të Kosovës. Krejt ato ndërhyrje ne i kemi paraqitur edhe para gjykatës. Gjykatat ende nuk kanë marrë një vendim rreth çështjes që ne e kemi paraqitur”-shtoi ai.

Në lidhje me heqjen e licencës, ai pati akuza për MKRS-në dhe Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Ajo që e ka prishur ministria ka me qenë goxha një kohë të gjatë e pariparueshme. Fati i mirë në këtë fatkeqësi është që federata botërore dhe Federata e Evropës e njeh Federatën e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2021” – tha Haliti i cili akuzoi MKRS-në se ky institucion se “është në gjendje të pranojë edhe klube fiktive që i bëjnë kushdo në rrugë edhe në bazë të atyre të zgjedhë komunitete tjera që përfaqësojnë federatën e notit”.

Gjatë akuzave për MKRS-në u përmend edhe emri i zëvendësministres së kësaj ministrie, Daulina Osmani.

Sipas Halitit, në këtë situatë ka edhe “ndërhyrje politike dhe hakmarrje” nga ana e Daulina Osmanit për arsye se ajo nuk ka arritur të zgjidhet nënkryetare të Federatës së Notit të Kosovës.

“Zëvendësministrja Daulina Osmani është një prej faktorëve të krejt këtij problemi për shkak se në 2021-tën ajo ka qenë kandidate për nënkryetare të Federatës së Notit të Kosovës, ka humbur në zgjedhje që kanë qenë shumë demokratike dhe hakmarrja është kjo. Gjitha këto janë hakmarrje që dëshirojnë të bëhen ndaj individëve të caktuar” – theksoi Haliti para mediave.

Gjatë protestës ai pati akuza edhe ndaj kryetarit të Komisionit të Arbitrazhit Sportiv, Eroll Salihu.

“Unë nuk jam i pajtimit që ne duhet të rrimë duarkryq. Të gjitha çështjet ne i kemi dërguar në Gjykata. Ndoshta mos me thënë strumbullari i gjithë kësaj është Eroll Salihu, kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv të cilin përkundër vendimit drastik që e ka marrë, ne pas një shtjellimi të Eroll Salihut i kemi pranuar klubet me ardhë në bazë të rregulloreve dhe statutit të Federatës me qenë pjesë e Federatës” – u shpreh Haliti.

“Të njëjtit në bashkëpunim me Ismet Krasniqin, kryetarin e komitetit olimpik kanë marrë një vendim që ta suspendojnë Federatën eNotit të Kosovës. Kjo ka filluar në vitin 2021 e pas të njëjtit vendim ministri ka marrë një vendim t’i suspendoj Federatën e Notit të Kosovës”- shtoi Haliti.

Tutje, ai tha se në  prill të vitit të kaluar Kosovën ka pasur ta vizitojë presidenti i Federatës Botërore. Për këtë cështje ai tha se bisedat kanë qenë investimet në infrastrukturën e notit dhe zhvillimi i shumë programeve që i jep Federata Botërore.

Mirëpo, sipas Halitit, presidenti nuk është pritur as nga ministri Çeku e as nga Imset Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik.

“Të njëjtin (presidentin) nuk e ka pritur as Ministri as Kryetari i Komitetit Oliompik, Imset Krasniqi. Unë besoj që kjo është e mjaftueshme për ta shkatërruar një sport që është formuar dhe zhvilluar më sakrifica jashtëzakonisht të mëdha”.

Në anën tjetër edhe Florid Gashi, kryetar i Klubit “Bridge Drivers” për kërcyesit e urës nga Gjakova tha para gazetarëve se ky klub është suspenduara edhe prej Federatës së Notit të Kosovës.

Florid Gashi, kryetar i klubit “Bridge Divers”. FOTO: KALLXO.com

“Klubi jonë tash e sa vite njihet si klubi tradicional i Kosovës. Ne kemi hyrë nëpërmjet Federatës së Notit tash që sa vjet. Tash e dy vjet jemi të licencuar, domethënë na kanë suspenduara edhe prej federatës së notit. Ne tash domethënë jemi një klub i vetëm, ne nuk kemi federatë, duhet të jenë pesë klube për të pasur një federatë në vete. Ne nëpërmjet federatës i organizojmë edhe garat. Na kanë suspenduar edhe prej kësaj gare”.

Astrit Haliti e përmbylli këtë protestë duke thënë se presin që të marrin përgjigje dhe sqarime për këto gjëra që kanë ndodhur.