Major Vjollca Hoti - Policia e Kosovës

Rrëfimi i Major Vjollca Hoti për 19 vitet në Policinë e Kosovës - VIDEO

E mban mend tiketën e parë që e kishte shqiptuar 19 vite më parë, ndërsa tregon se si kishte ndjerë keqardhje për kundërvajtësin.

Major Vjollca Hoti, tash e 19 vite është pjesë e Policisë së Kosovës. Që nga aplikimi i saj, qëllimi ishte të kontribuoj për sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Ajo për KALLXO.com ka treguar se si kishte aplikuar menjëherë pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe se si ishte pranuar ndërsa tregon edhe se nuk kishte menduar se do të arrinte të kishte pozitën që mban tani atë të majorit.

“Kur kam apliku për policisë qëllimi ka qenë me zbatu ligjin, dhe me punën time me i bo të tjerët me u ndi të sigurtë gjatë jetës së tyre, por pastaj atëherë nuk ka pasur grada në policinë e Kosovës diku në vitin 2001 kanë qenë gradimet e para, dhe unë jam njëra nga të graduarat e para diku në 2002 jam graduar në pozitë rreshter, pastaj kur te merr gradën rreshter synon me marr pozitën tjetër. Fillimisht kur kam hy në polici nuk kam mëndu pos pas secilës gradë qëllimi i secilit person është të arrij sa më lart”, tregon Major Hoti.

Në Policinë e Kosovës, ka gra e burra të cilat Major Vjollca Hoti i komandon. Për KALLXO.com, Hoti tregon se a është vështirë për të që të komandoj gjininë e kundërt të saj.

“Njësoj si gratë nuk ka ndryshim. Duhet të kemi parasysh përparësitë fuqitë dhe dobësitë, duhet me u mendu gjithmonë që duhet me e caktu njeriun e duhur në vendin e tyre. Nuk e dalloj gruan dhe burrin në polici përveç disa rasteve kur janë më sensitive për shembull të dhunës në familje, ose rastet kur kemi të bëjmë me gra në këto raste jemi të obliguar që të caktojmë gjininë femërore të merren me këto raste, pasi e kemi me udhëzim që me këto raste të merren gratë police”, thotë Hoti.

Hoti tregon tutje se gradën që ka tani, atë të Majorit, e ka të bazuar në meritat e saj pasi që e njëjta ka ndjekur udhëzimet e punës si dhe trajnimet që e kanë ndihmuar në anën profesionale.

“Gradën e kam të bazuar në merita. Gjatë karrierës time prej vitit 2000 e deri më tani kam punuar kryesisht në fushën operacionale duke nisur nga polic patrullues, mbikëqyrës i ndërrimit patrullues, pastaj në Drejtorinë e Standardeve Profesionale prej viti 2003 deri në vitin 2006 kam qenë komandant në stacionin policor në Fushë Kosovë, në këtë kohë është bërë edhe transferimi i përgjegjësive nga policia e UNMIK-ut në Policinë e Kosovës, unë kam qenë komandanti i parë në këtë stacion pastaj gradimi në gradën kapiten kam kaluar në pozitën shef i shërbimeve administrative pranë drejtorisë rajonale në Prishtinë, kurse prej vitit 2012 deri më tash jam në pozita komanduese në stacionin veriu në Fushë Kosovë dhe tani që jam graduar në Major tash jam komandant në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë”, vazhdon rrëfimin e saj Hoti.

Madje, Hoti tregon edhe përvojën e saj me armë.

“Revolen kemi të drejtë me përdor në dy raste, gjatë trajnimeve dhe kur dëshirojmë me ndal një person për mos me realizu krimin që synon, në trajnime mësojmë me shkatërru. Gjatë karrierës fatmirësisht asnjëherë nuk e kam përdorur për shkatërrim por vetëm për trajnime. Kryesisht në trajnime kemi 60 plumba të cilat mujm me i gjujt, unë kryesisht kam qenë te 56 afërsisht 90%, kështu që jam e saktë në përdorimin e revoles”, thotë ajo.

Por kur e ka përdorur revolen për herë të parë, Hoti tregon stresin që i është shkaktuar.

“Për herë të parë e kam përdor revolen në vitin 2000 dhe kur kemi fillu me gjujt me revole kam pasur stres. Stresi më i madh ishte kur klasa fillojshin me gjujtë para se me fillu unë me gjujt, ato krismat e revoleve të tjera më shkaktojshin stres dhe tani më se kam problem”, tregon ajo.

Një tiketë e shqiptuar në fillimet e saj është një veprim që Hoti e mban mend tash e 19 vite.

“E mbaj mend e kam shkru një tiketë për një kundërvajtje, e di që më patë ardh shumë gjynah ndaj kundërvajtësit, ky ka qenë rasti i parë i veprimit në polici”, tha ajo.

Major Vjollca Hoti, tregon edhe se a ka menduar ta lë Policinë e Kosovës.

“Nuk kam menduar asnjëherë me lanë Policinë e Kosovës, është një profesion që unë ndihem shumë mirë sepse të jep mundësi që të ndihmosh të tjerët dhe kjo është një mundësi të ndihmosh të tjerët dhe ky është misioni im të ndihmoj të tjerët”, përfundon rrëfimin e saj për angazhimin e saj në Policinë e Kosovës.