Një qytetare duke votuar - Foto: Atdhe Mulla

Rezultatet Zyrtare për Kryetarë të Komunave, Brenda pak Ditëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pret që brenda dy ditëve t’i shpallë rezultatet zyrtare për kryetarë të komunave për t’u lëshuar rrugë përgatitjeve për garën e balotazhit që mbahet më 19 nëntor.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha për KALLXO.com se të dielën pasdite në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i votave me kusht dhe se deri më tani numërimi i tyre në disa komuna ka përfunduar.

“Pas numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta KQZ-ja do t’i shpall rezultatet përfundimtare për kryetar komune. Po besojmë se në mes-javë do të arrijmë t’i shpallim këto rezultate”, tha Elezi.

Ai tha se pas shpalljes së këtyre rezultateve përfundimtare, subjektet politike dhe kandidatët mund të bëjnë ankesat e tyre në institucionet përkatëse lidhur me rezultatet e shpallura.

“Ne duhet të presim vendimmarrjen e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme për të  proceduar më tej drejt certifikimit të Rezultateve për kryetar komune”, shtoi Valmir Elezi.

KQZ javën e kaluar ka miratuar planin operacional për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Sipas këtij plani, periudha e votimit përmes postës do të jetë nga 4 nëntori  deri më 17 nëntor ndërsa fushata zgjedhore për subjektet politike do të jetë nga 13 nëntori deri më 17 nëntor.

18 nëntori do të jetë heshtje zgjedhore.