Paneli i shoqërisë civile - Foto: KALLXO.com

Rëndësia e Konsistencës së Kundërshtimit të Keqqeverisjes

Rebelimi i përditshëm për të kundërshtuar problemet që vijnë nga qeverisja ishte tema e debatit të tretë rreth korrupsionit në kuadër të festivalit “DokuFest”.

Një prej vlerësimeve që doli nga debati në të cilin panelistë ishin aktivistë nga Shkupi, Beogradi e Prizreni, ishte se protestat nuk kanë të bëjnë me numrin e protestuesve, por me konsistencën në kundërshtim.

Në debatin e moderuar nga Agron Bajrami, për përvojën e tyre në kundërshtimin e qeverisjes dhe shprehjen e shqetësimeve të shoqërisë civile kanë folur Artan Sadiku “Pokret Solidarnost” (Shkup); Ksenija Radovanoviq, “Ne Da(vi)mo” (Beograd), dhe Hajrullah Çeku “Ec ma ndryshe” (Prizren).

Radovanoviq, e cila me profesion është arkitekte, nisi debatin duke treguar përvojën në kundërshtimin e projektit të Qeverisë serbe “Beogradi në ujë”, të cilin ajo me kolegë po e quajnë “Beogradi nën ujë”.

Ajo tha se format e kundërshtimit në fillim nuk kanë qenë protestat, por për shkak të mosdëgjimit nga autoritetet, erdhën edhe ato.

“Çdo gjë rreth këtij projekti është dështim total. Te stacioni kryesor hekurudhor dhe ai i autobusëve është një zonë e madhe pranë lumit Sava. Ata (Qeveria) kanë vendosur t’ua japin miqve nga Emiratet e Bashkuara për 30 vite, pa para. Kjo me arsyetimin se ata do të investojnë miliarda euro”, tha ajo.

Ksenija Radovanoviq duke folur si arkitekte tha se ky projekt është në kundërshtim me çdo planifikim urban, ngase është e pamundur të ketë objekte të larta pranë lumit Sava.

Ajo tregoi se kundërshtimi ndaj këtij projekti ka nisur dy vite më parë.

“Në fillim numri i protestuesve ka qenë 1,000, por ky numër është rritur në çdo protestë dhe sot shkon deri në 25 mijë”, shtoi Radovanoviq.

Ndërsa, duke folur për përvojën në kundërshtimin e qeverisjes, Artan Sadiku përmendi edhe aferën e përgjimeve në Maqedoni.

“VMRO nisi të shtypte çdo sektor të shoqërisë. Përfshi këtu që kishim edhe politizimin e OJQ-ve (viti 2008/09). Ne nisëm të protestonim, ndërkohë kishim kërkesa edhe nga organizata tjera që të na bashkohen”, tregon ai.

Sadiku përmend protestën e para dy viteve për arsimin e lartë në Maqedoni, të cilën e konsideroi si më të madhen ndonjëherë.

“Ata (qytetarët) filluan ta konsiderojnë rrugën si vend për të shprehur qëndrimet e tyre, duke mos pritur më 4 vjet për votën e tyre”.

Më pas ai tregon se kanë sfiduar dhe çështje politike në vend, si rasti me përgjimet.

“Kemi pasë propozimin e socialdemokratëve të bashkohen dhe ky ka qenë problem sepse ne nuk donim që këto protesta të përdoren për qëllime politike”, tha Sadiku

Por, Radovanoviq mendon ndryshe. Ajo thotë se kur partitë opozitare duan t’u bashkohen në protesta për ta është në rregull, por vetëm me një kusht: pa simbole e flamuj partiakë.

I pyetur nëse etapa e ardhshme e tyre është transformimi në parti politike, ashtu siç ka ndodhur me Vetëvendosjen, meqë edhe “ju jeni të majtë që luftoni politikat sociale”, Sadiku u përgjigj shkurt: “Nuk ka ndodhur vetëm me VV-në, ka ndodhur edhe me Syrizën në Greqi. Kjo nuk përbën përjashtim për lëvizjet e tilla”.

Por, ai thotë se këto lëvizje duhet të mbeten burim social, e sa për VV-në tha se ajo ka qenë e kornizuar që nga fillimi për t’u bërë parti.

“Ajo e quan veten ende lëvizje dhe kjo është për të ardhur keq”, theksoi ai.

Ndërsa, Hajrullah Çeku foli për përvojën e tij në “rrugë”, duke mos e limituar atë në numra por në konsistencë të protestimit.

“Në momente të caktuara unë kam momente shpërthyese në mungesë të reagimit, por kur ndaleni dhe e analizoni ka raporte, analiza, shkrime, protesta etj. Nuk është që mungon aktivzmi. Por, pyetja jem është çka me bo ma shumë për me thonë që ka aktivizëm?”, tha ai.

Ai përmendi rastin e para dy muajve, vdekjen  tragjike të 3-vjeçes, Xheneta Gashi. Ajo vdiq duke luajtur në rrugë si pasojë e rrënimit të një monumenti, i klasifikuar si historik, por afër të cilit nuk kishte siguri (rrethoja mbrojtëse).

“Është përgjigjësi e shtetit që nuk i kanë mbrojtë monumentet edhe që s’ka siguri. Por, në atë protestë nuk ka pasur shumë njerëz, por ka pasur konsistencë dhe si rrjedhojë kanë ardhur dhe rezultatet”, tha ai.

Sipas Çekut, ky grup i njerëzve kanë arritur t’i mbledhin 20 mijë euro për ndërtimin e një shtëpie për familjen e vajzës së ndjerë. “Ka siguruar avokatin ‘pro bono’, padi që do të dorëzohet në Gjykatën e Prizrenit, si dhe para dy ditëve Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 3 zyrtarëve të kësaj Komune”, shtoi Çeku.

“Deri te suksesi vjen ma sigurt jo me numër të protestuesve, por me numër të protestave. Ka të bëjë me konsistencën në protestë. Me kriju idenë e qytetarit si aktivist”, vlerësoi ai.

Por çka në fund? Sa kanë efekt këto protesta? A frikësohen pushtetarët nga to?

Radovanoviq thotë se kanë efekt, edhe pse ndoshta jo të menjëhershëm.

”Ne nuk do të injorohemi, numri i njerëzve në rrugë besomëni se i frikëson ata (qeveritarët)”.

Njësoj mendon dhe Sadiku. Madje ai tregon edhe dy raste kur gjithë kabineti qeveritar është evakuuar nga Shkupi.

“Në maj të vitit 2015 dhe prill 2016, dy protestat tona, njëra për përgjimet e tjetra e studentëve, kemi marrë vesh se gjithë kabineti qeveritar është evakuuar nga qyteti”, tha aktivisti shkupjan.

Ai shton se “duhet të mendojmë për idenë e transformimin social, ajo nuk ndodhë menjëherë. Duhet të ndërtojmë trashëgiminë e rezistencës”.

E Çeku thotë se gjithçka ka të bëjë me konsistencën. “Qajo kish me mirëmbajtë idenë e presionit publik, që besoj në Kosovë është, por jo shumë e organizume. Kjo është pika ku duhet ne ma s’shumti me u fuqizu”.

E në fund ai ka edhe një porosi për ata që “ankohen” në numrin e vogël të protestuesve, por vet nuk marrin pjesë në protesta e nuk janë aktivë në shoqëri. “Ju jeni arsyeja që ka numër të vogël të njerëzve nëpër protesta. Nëse nuk kontribuoni, ma mirë është me shujtë”, porositi ai.

Debati i radhës është me temën “Media dhe teknologjia në luftimin e korrupsionit”.