Reagon kryeministri maroken: Maroku nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Marokut, Saadeddine Othmani përmes një shkrimi në llogarinë e tij Twetter është ankuar se një zyrtar nga Kosova e ka imponuar prezencën e tij gjatë një dreke që ai ka pasur dje në New York.

“Gjatë një dreke me delegacionin tim, një zotëri nga Kosova e imponoi prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar për marrëdhënie bilaterale, apo vënie të kontakteve. Pozicioni i Marokut është konstant. Maroku nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë raport me të”, ka reaguar kryeministri i këtij shteti përmes një postimi.

Ndryshe, dje në një postim në Facebook dhe Twetter, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se ka pasur një takim domethënës me kryeministrin e Marokut.

Delagacioni i Kosovës i kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli po qëndrojnë në New York për një vizitë zyrtare, ku po zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera.