Pamje nga seanca e sotme e gjykimit në rastin "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Rasti ‘Medicus’, Gjykata Nuk Arrin të Sigurojë Praninë e 15 Dëshmitarëve të Huaj

Në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Gjykata në pamundësi të sigurimit të prezencës së 15 dëshmitareve të huaj, kjo për shkak të mosfunksionimit të bashkëpunimit juridik në mes të Kosovës dhe të shteteve si Ukraina dhe Izraeli, është vendosur që deklaratat e këtyre dëshmitarëve të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor të futen në procesverbal dhe të konsiderohen si të lexuara.

Ndonëse Gjykata përmes Ministrisë së Drejtësisë ka bërë kërkesë për sigurimin e prezencës së këtyre dëshmitarëve, kryetarja e trupit gjykues tha se nuk ka pranuar asnjë përgjigje në lidhje me këto kërkesa e kjo për shkak të mosfunksionimit të bashkëpunimit juridik në mes të Kosovës dhe këtyre shteteve.

Gjatë kësaj seance gjyqësore në cilësinë e ekspertes u dëgjua Nadire Ibrahimi, specialiste e lartë e dokumenteve dhe dorëshkrimeve në Agjencinë Kosovare të Forenzikës.

Ajo dëshmoi rreth ekspertizës për të cilën ishte thirrur nga Gjykata që ta bënte në raport me disa dokumente administrative të cilat janë marrë nga klinikën “Medicus” me rastin e bastisjes.

Ekspertja tha se në lidhje me rastin në fjalë Gjykata i ishte drejtuar në lidhje me katër kërkesa për të vërtetuar disa dorëshkrime.

Kërkesa e parë ishte që të vërtetohej nëse nënshkrimi në një dokument të paraqitur a ishte bërë me dorë, ishte i stampuar apo i shtypur. Për këtë ekspertja tha se pas analizimit ka ardhur në përfundim se ky dokument kishte qenë i nënshkruar me laps kimik ngjyrë të kaltër.

Për kërkesën e dytë, e cila kishte të bënte me një dokument tjetër për të cilin pyetja ishte nëse nënshkrimi i Lutfi Dervishit ishte i njëjtë me dokumentin e paraqitur për analizim, ekspertja tha se pas analizimit kanë arritur në përfundim se në bazë të dokumenteve të paraqitura nënshkrimet në ato dokumente nuk janë përputhur në mes vete, që i bie se nuk kanë qenë të nënshkruara nga i njëjti person.

“A është nënshkrimi në dokumentin A, shkrimi i Lutfi Dervishit? A i takon ai nënshkrim atij?  Ne si ekspert kemi analizuar nënshkrimin kontestues i cili është në dokumentin A, gjithashtu janë ekzaminuar edhe nënshkrimet dhe dokumentet B, I, J, K, L, M dhe këto nënshkrime janë krahasuar në mes vete dhe kemi ardhur në rezultatin se këto nënshkrime nuk përshtaten në mes vete, që do të thotë se nuk janë të shkruara nga personi i njëjtë”, tha ekspertja.

E në lidhje me pyetjen se nëse nënshkrimi në dokumentin A, i takon Arban Dervishit, ekspertja tha se ky nënshkrim është krahasuar edhe me nënshkrime nga mostra të tjera me ç’rast ka rezultuar se këto nënshkrime kanë qenë të shkruara nga i njëjti person.

“A është nënshkrimi në dokumentin A dorëshkrim që i përket të njëjtit person që e ka nënshkruar dokumentin N?  Bazuar në ekspertizë nënshkrimet në dëshminë N, janë të përbëra nga elementet ndërsa nënshkrimi në dokumentin A, është i përbërë nga shkronjat, që do të thotë se këto dy nënshkrime nuk mund të krahasohen dhe rezultati është pa konkludim”, deklaroi tutje ekspertja.

Në lidhje me kërkesën e parë për të cilën nga ekspertja ishte kërkuar që të vërtetohej nëse nënshkrimi kishte qenë i shkruar me dorë apo i stampuar, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Valon Hasani e pyeti eksperten se nëse dokumentin të cilin e kishin analizuar dhe në bazë të cilit kishin ardhur në këtë përfundim të kishte qenë kopje apo në origjinal.

Për çka ekspertja deklaroi se dokumenti kishte qenë origjinal dhe se origjinalitetin e dokumentin kishin arritur që ta vërenin me ndihmën e mikroskopit.

Në pjesën tjetër të seancës, kryetarja e trupit gjykues kumtoi disa vendime të cilat ditë më herët trupi gjykues i kishte marrë në lidhje me disa kërkesa të palëve.

http://kallxo.com/shaip-muja-tregon-per-interesimin-e-tij-per-kliniken-medicus/

Dëshmia e Shaip Mujës shpallet e papranueshme

Në lidhje me këto kërkesa trupi gjykues tha se është marrë vendim që dëshmia e dëshmitarit Shaip Muja, e dhënë gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor, të konsiderohet si dëshmi e papranueshme, kërkesë kjo e bërë nga mbrojtja.

Gjykata ka vendosur që edhe dëshmitë e dëshmitareve Osman Kryeziu, Osman Mehmeti, Ramadan Ahmeti, Selman Bogiqi, Shemsi Hajdini, Shaban Guda, Bekim Shasivari, Faik Behrami, Haxhi Krasniqi si dhe Hysni Shala të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar të lexohen.

Meqë tre dëshmitarë të cilët kishin dëshmuar gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor Nexhmedin Statovci, Raul Veijn dhe Kadeush Sadaj  kanë vdekur u vendos që dëshmitë e tyre të mëhershme të futen në procesverbal dhe të lexohen.

Kurse në lidhje me dëshmitarin Ilmaz Altun, i cili ishte marrë në pyetje në prani të Lutfi Dervishit dhe avokatit të tij gjatë seancës së jashtëzakonshme hetuese, u vendos se dëshmia e këtij dëshmitari sa i përket Lutfi Dervishit të futet në procesverbal dhe të lexohet, ndërsa pjesa tjetër e dëshmisë sa i përket Sokol Hajdinit të konsiderohet si provë e papranueshme.

Trupi gjykues kishte pranuar edhe një kërkesë nga avokati Valon Hasani kërkesë kjo e cila kishte të bënte propozimin që në cilësi të dëshmitareve të dëgjoheshin pesë persona të cilët ishin përmendur gjatë dëshmisë së dëshmitarëve A.K. dhe D.S., për të cilët nga këta dëshmitarë ishte thënë se kanë bërë aranzhimet financiare në lidhje me shitjen e veshkave, por një kërkesë e tillë u refuzua nga trupi gjykues.

Po ashtu trupi gjykues mori vendim që dëshmia e ekspertes Daniela Roberta Shilaci  e dhënë në lidhje me ekspertizën e kryer nga ajo dhe ekspertja tjetër Carmen Barbu të shpallet si provë e papranueshme.

http://kallxo.com/eksperti-tregon-per-email-et-qe-lutfi-dervishi-shkembeu-me-yusuf-sonmezin/

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.