Ndërtesa e Komunës së Klinës - Foto: KALLXO.com

Raci e Quan ‘Qesharake’ Aktakuzën Ndaj Tij

Esat Raci, drejtor i Administratës në Komunën e Klinës, ndaj të cilit u ngrit aktakuza nga një prokuror i EULEX-it, e quan tërësisht të pabazuar akuzën ndaj tij dhe tre zyrtarëve tjerë.

“Aktakuza është tërësisht e pabazuar dhe qesharake”, tha Raci.

Ai tha se një banesë për të cilën akuzohet atij i ishte ndarë nga Komisioni sipas kritereve dhe ishte votuar në Asamblenë Komunale.

“Të vetmin mëkat që e kam bërë është se jam vendosur në një banesë të komunës prej 38 metra katrorë, se komisionet e komunës sipas kritereve më kanë siguruar një banesë për ekzistencën e familjes time”, tha Raci për KALLXO.com.

Raci nuk deshi të komentojë nëse pjesë e aktakuzës është edhe kryetari i Komunës, Sokol Bashota.

Sot, Prokuroria Speciale njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër katër personave të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Dy prej të dyshuarve të rastit “Klina” akuzohen edhe për veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë, të hyrave/të ardhurave, dhuratave, dobive materiale të tjera ose detyrimeve financiare.

http://kallxo.com/aktakuze-kunder-4-personave-per-rastin-klina/